Jezusi është përgjigja
28. prill e hënë
“Unë u gjeta nga ata që nuk më kërkonin, unë iu shfaqa atyre që nuk pyesnin për mua” Romakëve 10:20
Bibla thotë: “Unë u gjeta nga ata që nuk më kërkonin, unë iu shfaqa atyre që nuk pyesnin për mua”. Ti thua: “Çfarë do të thotë ky Shkrim?”. Do të thotë që edhe nëse po kërkon për përgjigje në vendet e gabuara, po bën pyetjet e gabuara dhe po shkon në drejtimin e gabuar, Jezusi do të të ndërpresë, do të të ridrejtojë dhe do të të takojë në nevojat e tua më të thella.
Kur gruaja tek pusi takoi Jezusin, ajo po kërkonte për përgjigje tek marrëdhëniet. Ajo kishte pasur pesë martesa të dështuara dhe po jetonte me burrin e gjashtë (Shiko Gjoni 4:18). Kur Zakeu takoi Jezusin, ai po kërkonte përgjigje tek gjërat materiale. “Dhe ja, një njeri i quajtur Zake, i cili ishte kryetari i tagrambledhësve dhe ishte i pasur. Ai kërkonte të shihte kush ishte Jezusi” (Luka 19:2-3). Kur Pali takoi Jezusin, ai po kërkonte për përgjigjen tek feja. Ja rezymeja e tij: “U rrethpreva të tetën ditë, jam nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, Hebre nga Hebrenj, dhe sipas ligjit farise, sa për zellin, përndjekës i kishës; për sa i përket drejtësisë, që është në ligj, i pa qortueshëm” (Filipianëve 3:5-6).
Marrëdhëniet e shumta nuk e kënaqën gruan tek pusi, pasuritë nuk e kënaqën Zakeun dhe feja nuk e kënaqi Palin. Dhe këto gjëra nuk do të kënaqin as ty. Çfarë do të të kënaqë? Një marrëdhënie me Jezusin! Sot Ai po të thotë ty: “Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10). Sot, Jezusi është përgjigja.