Shtigje frymërore (2)
27. qershor e shtunë
“Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua” Psalmi 119:35
Shtegu i marrëdhënieve. Njerëzit që ndjekin shtegun e marrëdhënieve zbulojnë se kanë një ndjenjë të thellë të pranisë së Perëndisë kur ata janë të përfshirë në marrëdhënie domethënëse. Fjalët e Jezusit: “Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre” (Mateu 18:20), kanë kuptim të plotë për tipin marrëdhënior. Nëse je në shtegun e marrëdhënieve, mund të ndihesh fajtor kur dëgjon të tjerët të flasin për periudha të gjata vetmie me Perëndinë dhe mendon: “Vetmia nuk do të ishte aq e keqe, po të mund të sillja edhe një grup njerëzish me vete”. Shpesh ke përjetuar momente kyçe frymërore—si bindja për mëkatin ose inkurajimi për të këmbëngulur—kur Perëndia të ka folur përmes njerëzve të tjerë. Je shumë më i prirur të praktikosh lutjen ose veprat e shërbimit kur mund t’i bësh ato në një kontekst marrëdhënior. Kur je në shtegun e marrëdhënieve, ke prirjen ta dëgjosh zërin e Perëndisë më shumë nëpërmjet bisedës sesa nga një libër. Dhe ti ngec frymërisht deri në atë masë sa ndihesh i izoluar.
Por ka dy rreziqe ndaj të cilave duhet të ruhesh. I pari është sipërfaqësia—kur shpërndahesh aq shumë në marrëdhënie, saqë askush nuk arrin të shkojë përtej vetes tënde të jashtme për të të njohur, për të të dashur dhe për të të sfiduar thellësisht. I dyti është të bëhesh kaq i varur nga mendimet dhe këshillat e të tjerëve, saqë nuk zhvillon ndjeshmërinë dhe aftësinë për ta dëgjuar Perëndinë vetë. “Kur do të shkoni djathtas ose kur do të shkoni majtas, veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: ‘Kjo është rruga, ecni në të!’” (Isaia 30:21).

