Si të kesh paqe (4)
11. qershor e martë

“Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi” Psalmi 46:10, NIV

Për të patur paqe duhet të përqëndrohesh tek prania e Perëndisë. Ajo që ti zgjedh për t’u përqëndruar nxit frikën ose besimin tënd. Bibla thotë:Mendjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti” (Isaia 26:3, NIV). Ky varg mund të përmblidhet në vetëm një fjali: “Rregulloje përqëndrimin tënd – më shiko mua”. Psalmisti thotë: “Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi” (Psalmi 46:1, NIV). Më vonë tek ai psalm, Ai na kujton: “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi” (vargu 10, NIV). Këto vargje janë shkruar gjatë kohës së Ezekias. Forcat e armatosura armike kishin rrethuar Jerusalemin dhe izraelitët ishin të tensionuar, kështu që ata bënë këtë lutje! Dhe pesë minuta para drekës, Perëndia i goditi asirianët me një fatkeqësi dhe 185,000 prej tyre vdiqën. Jerusalemi u shpëtua dhe të gjithë u gëzuan.

Ky psalm na ndihmon të kujtojmë se Perëndia është streha jonë. Pavarësisht sa të vështira duken rrethanat, Ai është gjithmonë me ty për të të ndihmuar. Ky psalm na tregon për dy gjëra mbi marrjen e ndihmës së Perëndisë në kohëra problemesh. Gjëja e parë është që të “ndalemi”. A e di se në mes të një uragani ose tornadoje ka një qendër të qetë e cila quhet ‘sy’? Po ashtu, edhe pse çdo gjë po shkatërrohet përreth teje, ti mund të kesh një qendër të qetë. Ndalo dhe prano! Kur jeton në këtë mënyrë, “paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:7, NIV). Kur mendon për këtë, është e vetmja mënyrë e duhur për të jetuar!