Intimitet, varësi dhe bindje (3)
14. shkurt e premte

“Sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar” Gjoni 5:30

Gjëja e tretë që e përkufizon marrëdhënien e Jezusit me Atin e tij është kjo: bindja. Jezusi tha: “Gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar”. Vër re fjalët “sipas asaj që dëgjoj”. Kur e di se ke dëgjuar nga Perëndia, ke besim për të përballuar çfarëdo që jeta të të japë dhe për të marrë çfarëdo detyre që Ai të jep. Mrekullia e parë e Krishtit ishte kthimi i ujit në verë në një dasëm në Kana. Në të do të gjesh një fjali e cila është themelore për përjetimin e fuqisë mrekullibërëse të Perëndisë në jetën tënde: “Bëni gjithçka që ai t'ju thotë!” (Gjoni 2:5). Kjo do të thotë që duhet të jesh i gatshëm t’i bindesh Perëndisë kur ajo që Ai të thotë të bësh nuk duket e arsyeshme edhe kur nuk është zgjedhja më e përhapur, edhe kur duket e papërshtatshme, edhe kur të kushton, edhe kur të kërkon të ecësh në një rrugë të panjohur. Dhe ke për të arritur këtë nivel bindjeje vetëm kur t’i përkushtohesh një jete intimiteti me Perëndinë dhe varësie ndaj Perëndisë.

Dhe ja diçka që duhet ta dish: Intimiteti, varësia dhe bindja nuk rritet duke u përpjekur ta duash Perëndinë më shumë, por duke patur një zbulesë të dashurisë së mahnitshme, të pamerituar dhe të padështueshme të Perëndisë për ty: “Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij. Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona” (1 Gjonit 4:9-10). Prandaj, lutu për një zbulesë të dashurisë së madhe të Perëndisë për ty.