Nuk është tepër e vogël për Perëndinë
10. maj e premte

“Nxorri në sipërfaqe hekurin” 2 Mbretërve 6:6, KJV

2 Mbretërve 6 tregon për një profet i cili po priste pemë pranë një lumi, kur koka e sëpatës së tij prej hekuri bie në lumë. Ai i thotë Eliseut: “Oh, o imzot, këtë e kisha marrë hua” (vargu 5, NKJV). Ai përdor kohën e shkuar. Me aq sa di ai, koka e sëpatës është zhdukur përgjithmonë. Ai nuk ka asnjë pritshmëri se koka e sëpatës do të merret sërish. Ai i tregon Eliseut se ku e humbi. Eliseu pret një shkop dhe e hedh drejt ujit dhe diçka ndodh, e cila nuk ka ngjarë ndonjëherë as më pare e as më pas. “Nxorri në sipërfaqe hekurin”. Vër re, kjo nuk është një situatë jetë a vdekje. Po, është një sëpatë e marrë hua. Po, u zhduk. Por nëse kjo është gjëja më e keqe që ke kaluar, ke patur një jetë shumë të sigurt. Mund ta vësh këtë në të njëjtën kategori si Jezusi që ktheu ujin në verë në dasëm. Pse ta shpërdorosh mrekullinë tënde të parë duke ndihmuar një nuse dhe dhëndër që të shmangin turpërimin, sepse nuk kishin mbledhur verë mjaftueshëm për dasmën?

Kjo zbulon diçka për Perëndinë. Ai merret me gjërat e vogla, si dasmat apo sëpatat e marra hua. Asgjë nuk është tepër e madhe për Perëndinë tonë të madhërishëm dhe asgjë nuk është tepër e vogël për Të, gjithashtu. “Dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju” (1 Pjetri 5:7, NKJV). Vër re fjalët “gjithë merakun tuaj”. Nëse ka rëndësi për ty, ka rëndësi për Atin tënd qiellor dhe të dashur. “Pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:6, NKJV). Vër re fjalët “të gjitha rrugët e tua”. Sot Perëndia do që ti të ndash çdo detaj të jetës tënde me Të.