Si të shikon Perëndia
10. maj e shtunë

“Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus” Romakëve 8:1

Në momentin që ne e kuptojmë se dashuria e Perëndisë për ne bazohet në atë që Krishti bëri për ne dhe jo në atë që ne bëjmë vetë, mundimi mbaron. Tani, ne mund të ndalojmë “së performuari” dhe mund t’i shërbejmë Perëndisë, sepse e dimë që Ai na do dhe që ne nuk kemi nevojë të përpiqemi që ta bëjmë Atë të na dojë. Ne nuk kemi më frikë se mos refuzohemi prej Tij për shkak të gabimeve tona. Kur ne bëjmë diçka gabim, ajo që ne bëjmë është që pendohemi, pranojmë faljen e Perëndisë dhe më pas refuzojmë dënimin që mëkati sjell.

Të kuptuarit se jemi të dashur dhe të pranuar, madje edhe pse jemi të papërsosur, është një lehtësim shumë i madh! T’i shërbesh Perëndisë për shkak të dëshirës dhe jo për shkak të detyrimit është jashtëzakonisht çliruese! Në momentin që ti e vendos besimin tënd në Krishtin, Perëndia të sheh si të drejtë që nga ai moment e mbrapa. Ai nuk të pranon për shkak të performancës tënde, por për shkak të marrëdhënies tënde me Të përmes Krishtit. Dhe ti duhet të vendosësh ta besosh atë dhe të qëndrosh në të.

Një shërbenjës i njohur shkruan: “Ne bëhemi ata që besojmë se jemi; prandaj, ndërsa bindemi se jemi drejtësuar me Perëndinë, sjellja jonë do të përmirësohet. Ne do i bëjmë gjërat drejt dhe me më pak përpjekje. S’ka rëndësi nëse të tjerët të kanë thënë se ti nuk je një gjë apo një tjetër, Perëndia kënaqet duke të të thënë në Fjalën e Tij se cili je ti në Të – i dashur, i vlefshëm, i çmuar, i talentuar, plot dhunti, i aftë, i fuqishëm, i mençur dhe i shpenguar. Merr një moment dhe përsëriti këto nëntë gjëra me zë të lartë. Thuaj: ‘Unë jam i dashur, i vlefshëm, i çmuar, i talentuar, plot dhunti, i aftë, i fuqishëm, i mençur dhe i shpenguar’”. Kështu të sheh Perëndia dhe kështu duhet të fillosh ta shohësh veten.