Përpiqu për pajtim
23. shkurt e hënë
“Shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde” Mateu 5:24
Ja ku ke diçka për të cilën ne nuk mendojmë mjaftueshëm – por që duhet të mendojmë! Mënyra se si i trajton ata që janë në marrdhënie me ty ndikon në marrëdhënien që ti ke me Perëndinë. Jezusi e tha qartë: “Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde” (v. 23-24). Jezusi e urdhëron shkelësin, edhe nëse ofendimi ka qenë i paqëllimshëm, të marrë iniciativën për shërimin dhe rivendosjen e marrëdhënies. Kjo kërkon përulësi të vërtetë.
Max Lucado shkruan: “Mund ta keni të vështirë ta besoni këtë, por jo të gjithëve u pëlqen predikuesi. Ka raste kur unë gaboj ose flas gabim dhe shkaktoj pakënaqësinë e një famullitari. Në vitet e para të shërbesës sime, kur merrja vesh për pakënaqësinë e dikujt, e shpërfillja problemin. ‘Nëse ai nuk vjen tek unë, atëherë unë nuk kam dorë në këtë çështje’. Por pastaj lexova fjalët e Jezusit…Jezusi i urdhëron shkelësit të marrin iniciativën. E gjej atë pasazh mjaft të pakëndshëm. Megjithatë, jam përpjekur ta zbatoj në miqësitë e mia të brishta. ‘Bob’, e kam pyetur, ‘a kam thënë diçka që të ka mërzitur?’. ‘Meri, duket se ka tension midis nesh. A jemi mirë?’. Pa dyshim, ky hap ka rezultuar në restaurim. Në katër dekadat e mia të shërbesës ky mësim praktik nuk ka dështuar asnjëherë të arrijë qëllimin e tij. Kur Shkrimi i Shenjtë bashkohet me bindjen, prej tij rezulton një eliksir shërues”. Pra, fjala për ty sot është – përpiqu për pajtim.

