I lindur për të besuar (1)
11. maj e diel

“Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë” Fjalët e Urta 22:6

Të mësosh fëmijën tënd është sa sfiduese aq edhe shpërblyese. Duke formuar sistemin e tyre themelor të besimit, ti e ndihmon trurin e tyre që të vendosë shtigje neurologjike të përhershme, të cilët do udhëheqin rritjen e tyre morale dhe frymërore. Neuroshkencëtarët Andrew Newberg dhe Mark Robert Waldman, autorë të ‘I Lindur Për Të Besuar’, na tregojnë se vitet më të rëndësishëm janë prej moshës shtatë deri në dhjetë vjeç. Kjo është koha kur fëmija yt ka prirjen për të kuptuar konceptin e një Perëndie që s’mund ta shohë, ndjejë apo dëgjojë. Çfarë mundësie ideale!

Newberg dhe Waldman sugjerojnë gjithashtu se mjeti ynë më efektiv për ndërtimin e besimit në këtë fazë është tregimi i historive, jo predikimi apo moralizimi. Historitë që përfshijnë parimet e perëndishme, sjelljet morale, guximin, besimin, dashurinë, dhembshurinë dhe faljen janë përbërës që përtypen lehtësisht për ndërtimin e karakterit të perëndishëm. Tregimi i historive ishte mënyra se si Perëndia i udhëzoi izraelitët që t’i mësonin fëmijëve të tyre rrugët dhe Fjalën e Tij. Historitë e Adamit dhe Evës, Noeut, Danielit, Esterit, Samsonit, Ruthit dhe Davidit; historia e lindjes, jetës, vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit; historitë e Jezusit që eci mbi det, që ringjalli të vdekurit dhe që ushqeu pesë mijë vetat prekin zemrat, interesin dhe imagjinatën e fëmijëve të vegjël dhe ngulisin parime jetë-ndryshuese të qëndrueshme! Në fakt, studimet tregojnë se sistemet e besimit të të rriturve ndikohen fuqishëm prej historive që ata kanë dëgjuar duke u rritur.

Ndaj ngulit histori që do të bëhen mbështetja për karakterin e tyre dhe baza për një besim që do të zgjasë tërë jetën. Si një prind, është puna jote që të inkurajosh dhe stimulosh zhvillimin e trurit të tyre drejt besimit, vendimeve dhe stilit të jetesës të perëndishëm!