Nuk ke për të qënë kurrë i përsosur (1)
8. nëntor e shtunë
“Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit…jo nga vepra, që të mos mburret askush” Efesianëve 2:8-9
Një perfeksionist kërkon të arrijë asgjë më pak se përsosmëria. Dorothy Littell Greco shkruan: “Unë kam qënë perfeksioniste që prej fillimit…duhet të merrja 10-ta, duhet të fitoja dhe duhet të kënaqja këdo. Çdo gabim ose dështim më jepte një rrymë të fortë vetëgjykimi…Perfeksionizmi shpesh vjen nga pasiguria dhe nga një keqkuptim i hirit. Gjatë viteve të para prindërit duhet ta komunikojnë përmes fjalëve dhe veprave të tyre dashurinë që kanë për ne, edhe pse nuk po bëjmë asgjë për ta fituar atë dashuri…Por jo secili prej nesh ka fatin e këtij prindërimi. Shumë prej nevojave tona janë përmbushur me acarim ose dhe me inat, gjë që ne e kemi interpretuar si: ‘Ka diçka që nuk shkon me mua”. Kur ndodh kështu, me kalimin e kohës, vjen turpi dhe na e shtrëmbëron kuptimin tonë të vetëvlerësimit.
Zëri i perfeksionizmit u shtua kur fillova të ndjek Jezusin. Kisha frikë se mos gjykohesha dhe përjashtohesha, gjë që më motivoi ta provoja vlerën time ndaj të krishterëve të tjerë. Edhe pse besoja, teorikisht, se isha shpëtuar nga hiri, jetoja sikur e kisha blerë shpëtimin me kredi dhe po mblidhja një borxh shumë të madh. Jetoja sikur Jezusi do griste “kontratën e shpëtimit” në momentin që do bëja një gabim. Ndërsa fillova të kuptoja se krenaria dhe frika e njerëzimit po shtynin perfeksionizmin tim, unë e rrëfeva këtë si mëkat…dhe litari në qafën time po lirohej. Si gruaja samaritane në pus, më duhej Jezusi për t’u futur brenda meje dhe butësisht të më drejtonte tek uji i Tij i gjallë”. Kujto, nuk ke pse të jesh i përsosur për të qënë bekim tek të tjerët – thjesht duhet të jesh i vërtetë!

