Perëndia mund të të shërojë (4)
5. tetor e hënë

“Por ai që merr farën në tokë të mirë, është ai që e dëgjon fjalën, e kupton dhe jep fryt” Mateu 13:23

Vetëm sepse nuk ke parë ende rezultate, nuk do të thotë se lutja jote nuk po merr përgjigje. Fjala e Perëndisë është një farë; asaj i duhet kohë për të dhënë fryt. Kërkoji Perëndisë hirin që të qëndrosh fort në atë që beson nga Fjala e Tij, ndërsa ajo lëshon rrënjë dhe rritet. Pavarësisht nga situata, gjithmonë është një kohë e mirë për të qenë mirënjohës. Satani dëshiron që ti të përqendrohesh te rrethanat e tua dhe te ajo që duket e pandryshuar, në vend që të falënderosh Perëndinë për pjesën e jetës sate që është përmirësuar.

Ndërsa qëndron në besim dhe lejon Fjalën të veprojë brenda teje, vazhdo të meditosh mbi premtimet e Perëndisë për shërimin. Fjala e Perëndisë vepron kur e mbjell në zemrën tënde. Vazhdo ta ujitësh atë farë duke folur vazhdimisht premtimet e Perëndisë mbi jetën tënde. Perëndia tha: “Ashtu si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa vaditur tokën, pa e bërë pjellore, pa bërë që të mbij në mënyrë që ai që do të mbjellëtë marrë farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë, kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova” (Isaia 55:10–11). Çfarë tha Perëndia për Fjalën e Tij? “Ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.” Mbaje besimin tënd të fortë dhe qëndro mbi Fjalën e Perëndisë: “Oh, sikur të mos isha i sigurt të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve” (Psalmi 27:13).