Duke e njohur dhe shijuar trashëgiminë tënde
3. qershor e mërkurë

“Jemi…bashkëtrashëgimtarë me Krishtin” Romakëve 8:16-17

Ne ndajmë të njëjtën trashëgimi me Krishtin! Çfarëdo që ka Ai, e kemi edhe ne! “Sepse sikurse është ai, po kështu jemi edhe ne në këtë botë” (1 Gjonit 4:17). Pra, nëse jemi bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, pse luftojmë kaq shumë gjatë jetës? Për dy arsye: (1) Nuk e njohim trashëgiminë tonë — “Madhështinë e jashtëzakonshme të fuqisë së Tij ndaj nesh që besojmë” (Efesianëve 1:19). Askush nuk na ka thënë se, në vend që të luftojmë për fitore, ne luftojmë nga një pozicion fitoreje. Nëse ia ke dorëzuar zemrën Krishtit, Ai “të ka bekuar me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin” (Efesianëve 1:3). Vëre fjalën “ka”. Ti tashmë zotëron gjithçka që të nevojitet për të qenë gjithçka që Perëndia dëshiron. Ti ke qasje në “çdo bekim shpirtëror”. Kjo do të thotë gjithashtu se Perëndia do të të “bëjë të përsosur për çdo vepër të mirë, që të kryesh vullnetin e tij” (Hebrenjve 13:21).

(2) Nuk besojmë në trashëgiminë tonë. Imagjino çfarë do të ndodhte nëse një brez i tërë të krishterësh do të jetonte duke u mbështetur në trashëgiminë e vet. Ata do ta mbyllnin pornografinë në internet. Të vetmuarit do të gjenin ngushëllim te Perëndia, jo në krahët e të huajve. Çiftet në vështirësi do të kalonin më shumë kohë në lutje dhe më pak kohë në zemërim. Fëmijët do ta shihnin si bekim kujdesin për prindërit e tyre të moshuar. “Dhe cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë sipas veprimit të forcës së fuqisë së tij, të cilën e vuri në veprim në Krishtin, duke e ringjallur prej së vdekurish” (Efesianëve 1:19–20). I njëjti Shpirt që banon brenda nesh, i cili e ringjalli Krishtin prej së vdekurish, do t’i kthejë të gjitha “nuk mundem”-at e tua në një “mundem”. “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13).