Ti mund ta kapërcesh problemin!
16. qershor e martë

“Nuk dua t’ia di fare…” Veprat 20:24

Përpara se të largohej prej drejtuesve të kishës në Efes për herë të fundit, Pali u tha atyre: “Fryma e Shenjtë dëshmon për mua në çdo qytet, duke thënë se më presin pranga dhe mundime. Por unë nuk dua t'ia di fare për jetën time që nuk e çmoj aq, sa ta kryej me gëzim vrapimin tim” (v. 23-24). Ka dy mënyra me anë të të cilave mund të merresh me një problem: (1) Të lutesh dhe të besosh se Perëndia do ta heqë atë, ashtu siç bëri me muret e Jerikos. (2) Të kapërcesh problemin.

Në vitet 1920, një aventurier anglez me emrin Mallory udhëhoqi një ekspeditë për të ngjitur’ Malin Everest. Dy përpjekjet e tij të para dështuan. Në përpjekjen e tij të tretë, ai dhe pjesa më e madhe e ekipit u zhdukën në një ortek. Kur u kthyen në Angli, pak të mbijetuar mbajtën një banket për të nderuar Mallory-n dhe ata që kishin vdekur. Kur udhëheqësi i të mbijetuarve u ngrit për të folur, ai shikoi rreth sallës në fotografitë e kornizuara të Mallory-t dhe të tjerëve që kishin ndërruar jetë. Pastaj ai ktheu shpinën turmës dhe u përball me një fotografi të madhe të Malit Everest, i cili qëndronte mbi tryezën e banketit si një gjigant i heshtur dhe i pakapshëm. Me lot që i rridhnin në fytyrë, ai i foli malit në emër të miqve të tij të ndjerë: “Flas me ty, Mali Everest, në emër të të gjithë burrave dhe grave të guximshëm që jetojnë dhe atyre që ende nuk kanë lindur. Mali Everest, na mundove një herë; na mundove dy herë; na mundove tre herë. Por një ditë do të të mundim, sepse ti nuk mund të rritesh më—por ne mundemi”.