Trupi yt i ri i ringjalljes (2)
19. dhjetor e premte
“Mbillet në çnderim dhe ringjallet në lavdi” 1 Korintasve 15:43
Fjalën “lavdi” mund ta përkthejmë me përpikmëri si “madhështi”. Trupat tanë të rinj mund të kenë një cilësi shkëlqyese. Siç është dokumentuar tek Eksodi 34:29, Moisiu kaloi kohë me Zotin dhe diçka e pazakontë ndodhi me të – fytyra e tij u bë e shndritshme dhe filloi të ndriçojë. Diçka e tillë i ndodhi edhe Jezusit në Malin e Shfytyrimit (shiko Luka 9:28-29). Tek Zbulesa 21:23, ne lexojmë se gjithë qyteti i Jerusalemit të Ri do të ndriçohet nga rrezatimi i lavdisë së Perëndisë dhe Krishtit të ringjallur. Danieli 12:3 thotë se shenjtorët e ringjallur “do të shkëlqejnë si shkëlqimi i kupës qiellore”. Mateu 13:43 thotë: “Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre”. “Sepse qytetëria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht, i cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t'i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat” (Filipianëve 3:20-21).
“Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai” (1 Gjonit 3:2). Një pastor shkruan se “Zoti Jezus Krisht, në ringjalljen e Tij, siguroi pagesën, provën dhe modelin për ringjalljen tonë”. “Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit” (1 Korintasve 15:49). Ashtu siç ne tani mbajmë shëmbëlltyrën e Adamit të parë, ashtu do të mbajmë shëmbëlltyrën e Adamit të fundit – i cili është Jezusi. E vërteta është se trupi yt i ringjalljes do të jetë i lavdishëm!

