Fol “jetë” (2)
15. nëntor e shtunë

“I dobëti le të thotë: ‘Jam i Fortë!’” Joeli 3:10

Vër re se Bibla nuk thotë: “I dobëti le të thërrasë shokët e tij dhe të diskutojë dobësinë e tij”. Ose “I dobëti le të flasë për dobësitë e tij”. Ose “I dobëti le të qahet për dobësitë e tij”. Jo, thotë: “I dobëti le të thotë të kundërtën e asaj që ndihet”. Prandaj, në vend që të flasësh për mënyrën se si je, fol për mënyrën se si do të jesh. Fol për atë që thotë Fjala e Perëndisë se mund të jesh, të kesh dhe të përjetosh. Nëse ngrihesh çdo mëngjes duke u ndjerë i lodhur dhe i rraskapitur, në vend që të ankohesh, ti duhet të deklarosh: “Jam i fortë në Zotin. Kjo është dita që Zoti ka bërë, unë do të gëzohem në të” (Shiko Psalmin 118:24). Kur ta bësh këtë, nuk do ndryshosh vetëm mënyrën se si ndihesh por edhe qëndrimin tënd. Nuk do ta nisësh ditën me një mentalitet viktime, të lodhur dhe të mposhtur. Do të shkosh përpara me një mentalitet fitoreje, me hap të rëndë, me buzëqeshje në fytyrë dhe me shpatullat e ngritura.

Kur Fjala e Perëndisë bëhet fjala jote, ajo do të të gëzojë dhe do të të ndihmojë ta shohësh veten dhe situatat e tua në një mënyrë tjetër. Jezusi tha: “Sepse ju them në të vërtetë se nëse dikush do t'i thotë këtij mali: “Luaj vendit dhe hidhu në det”, dhe nuk do të ketë dyshime në zemër të vet, por do të besojë se ajo që po thotë do të ndodhë, çdo gjë që të thotë do t'i bëhet” (Marku 11:23). Vër re fjalët “çdo gjë që thotë do t’i bëhet”. Kështu pra, çdo ditë shihu në pasqyrë dhe thuaj: “Mirëmëngjes, ti fëmijë i Perëndisë i bekuar, i fortë, i sigurt, me besim në vete dhe plot me hir”. Me fjalë të tjera, fol “jetë”.