Përfshije Perëndinë në financat e tua
11. tetor e diel

“Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën” 2 Korintasve 9:7

Perëndia mund të jetë duke qëndruar anash, duke të parë teksa lufton financiarisht, ose mund të jetë i përfshirë aktivisht si partneri yt financiar. Gjithçka varet nga çfarë lloj administruesi (kujdestari) je. Financat e tua janë një tjetër fushë e jetës ku mund të fillosh të përjetosh një marrëdhënie të gjallë dhe ndërvepruese me Atin tënd qiellor. Por nëse dëshiron që Perëndia të jetë i përfshirë në financat e tua, duhet t’i vësh financat e tua në shërbim të interesave të Perëndisë.

“Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t'ju shtohen” (Mateu 6:33). Kjo do të thotë se duhet të japësh. Dhe mund të fillosh me atë që Ai tashmë të ka dhënë. Kjo mund të nënkuptojë një përqindje të pagës sate të ardhshme ose një pjesë të pasurisë sate neto. Kudo që të të çojë zëri i bujarisë, duhet ta ndjekësh. Përsëri, kjo nuk ka të bëjë me të dhënit për të marrë. Ka të bëjë me neutralizimin e frikërave që kanë penguar frymën e bujarisë brenda teje. Ka të bëjë me zbulimin e gëzimit të të qenit pjesë e planit të Perëndisë dhe me përjetimin e sigurisë që vjen nga të diturit se Furnizuesi yt është Ai që zotëron çdo furnizim. Kur ti mbjell, Perëndia shfaqet në mënyra të mrekullueshme. “Edhe ai që i jep farën mbjellësit dhe bukë për të ngrënë, ju dhëntë dhe e shumoftë farën tuaj, dhe i bëftë të rriten frytet e drejtësisë suaj; dhe atëherë do të pasuroheni për të qenë dorëdhënë, duke i sjellë nëpërmjet nesh falënderim Perëndisë” (2 Korintasve 9:10–11). Sapo të përjetosh furnizimin e përsosur të një Ati qiellor plot dashuri, frikërat e tua do të fillojnë të treten.