Si jep rezultat besimi yt (2)
2. nëntor e diel
“Sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit” Romakëve 12:3
Falë Zotit, besimi nuk është i rezervuar vetëm për njerëzit thellësisht shpirtërorë. Nëse do të ishte ashtu, ne të gjithë do të ishim në telashe! E vërteta është, se njerëzit e zakonshëm nga të gjitha rrugët e jetës mund të mbushen me besim. Ne priremi të mendojmë se besimi i takon vetëm njerëzve si Abrahami, Moisiu, Elia, Samueli, Davidi, Danieli, Pjetri dhe Pali. Tani, sigurisht, ata të gjithë ishin heronj të besimit, por besimi nuk i takon vetëm atyre. Bibla na thotë: “Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit”.
Askush nuk do ta humbasë parajsën sepse atij ose asaj nuk i ishte dhënë mjaftueshëm besim për të “besuar në Zotin Jezus Krisht dhe të shpëtohej” (Shiko Veprat e Apostujve 16:31). Zoti synon që ne jo vetëm të kemi besim, por të jetojmë sipas besimit. Tre herë Dhjata e Vjetër na siguron se“i drejti do të jetojë prej besimit” (Hebrenjve 10:38). Ti përgjigjesh: “Po, por ata heronjtë biblikë kishin besim të madh; besimi im është shumë i vogël!”. A e di se edhe apostujt ndiheshin njësoj? Ata i thanë Jezusit: “Na e shto besimin" (Luka 17:5). Dhe Jezusi iu përgjigj: “Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do të mund t'i thonit këtij mani: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det’ dhe ai do t’ju bindej” (vargu 6).
Si shumica prej nesh, apostujt mendonin se i duhej më shumë besim. Por Jezusi e korrigjoi këtë perceptim të gabuar dhe dëmtues duke i thënë se ata nuk kishin nevojë për një masë të madhe besimi që të shikonin rezultate të mahnitshme. “Besimi sa një kokërr sinapi” mund të sjellë rezultate të mrekullueshme. Kur beson vërtet, ti tashmë ke filluar të veprosh. Jezusi tha se kjo do të japë rezultat!

