Harroje atë dhe vazhdo përpara
21. Shkurt E Diel

“Duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara, po rend drejt synimit” Filipianëve 3:13-14 AMPC

Të gjithë ne kemi një “të shkuarë”. Ajo është e mbushur me lëndime që të tjerët na kanë bërë, gabime që na kanë futur në probleme dhe gjëra për të cilat na vjen turp dhe që nuk do të guxonim të flisnim haptazi për to. Ndaj çfarë duhet të bëjmë?

Ka dy gjëra që ti mund të bësh me të shkuarën tënde: të përqëndrohesh tek ajo ose ta harrosh atë dhe të vazhdosh përpara. Nëse ke nevojë për falje, kërkoji Perëndisë për të, pranoje atë me besim, mëso prej  gabimeve të tya dhe përpiqu që të veprosh më mirë herën tjetër. Pali shkroi: “Por bëj këtë [ky është synimi im]: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara, po rend drejt synimit, drejt çmimit [suprem dhe qiellor] të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus” (v. 13-14 AMPC). Vëre fjalët “drejt synimit”. Përpara se Pali të takohej me Krishtin, ai në mënyrë të vazhdueshme burgoste dhe ekzekutonte të krishterët dhe mbyllte kishat. Dhe për më tepër, ai paguhej për këtë! Mbase kjo do të të bëjë të ndjehesh pak më mirë në lidhje me të kaluarën tënde. Megjithatë, tani, Pali kishte vetëm një synim: “duke u prirur drejt atyre që kam përpara”.

Kur ti dështon për shkak të mëkatit, ti e ndërlikon dështimin tënd duke u fiksuar pas tij dhe duke u zhytur në faj. Pse? Por Perëndia e ka siguruar faljen për ty! Pra, edhe nëse ke mëkatuar njëzet vite më parë apo njëzet minuta më parë, ti nuk mund të bësh asgjë për këtë përveç se t’i kërkosh falje Perëndisë, ta pranosh atë, ta hedhësh mëkatin pas krahëve dhe të vazhdosh përpara. Ti duhet t’i lësh të shkojnë gabimet e së djeshmes në mënyrë që të rrokësh bekimet e të sotmes. Kur të mësosh ta bësh këtë, ti do ta shijosh jetën në mënyrën që Perëndia e ka pasur për qëllim.