“Më shpëto!”
10. shkurt e martë

“Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij” Psalmi 34:6

Kishin kaluar njëzet e pesë vjet që kur kënga e Fontella Bass me muzikë ritëm dhe bluz, “Më shpëto!”, u rendit në vendin e parë në top listën. Ajo nuk kishte asnjë karrierë për të cilën të fliste dhe ishte pa para, e lodhur dhe me të ftohtë. Ngrohja e vetme në shtëpinë e saj vinte nga një sobë me gaz në kuzhinë. Ajo ishte larguar nga besimi i saj dhe nga kisha ku filloi të këndonte këngë kishtare kur ishte fëmijë. Ndërsa lutej, Fontella i kërkoi Perëndisë “një shenjë” për të konfirmuar se Ai e dëgjonte. Papritmas, ajo dëgjoi këngën e saj të famshme “Më shpëto” në një reklamë televizive! Për të, ishte sikur “Zoti të kishte hyrë drejtpërdrejt në botën time!”.  

Fontella nuk ishte në dijeni se American Express e kishte përdorur këngën e saj në një reklamë dhe nuk kishte mundur ta gjente atë për të paguar honoraret. Jo vetëm që ajo mori honorare mbrapsht, por filluan t'i hapeshin edhe mundësi të reja për të kënduar. Menjëherë pas kësaj, ajo publikoi një album të ri. Por lajmi më i mirë është se ajo e rinovoi marrëdhënien e saj me Perëndinë. “Për kaq shumë vite u përpoqa t’ia dilja mbanë vetë dhe nuk funksionoi”, tha ajo. “Pastaj e mora nga duart e mia dhe ia lashë Atij dhe tani gjithçka po ndodh”. Psalmisti David shkroi: “Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij…Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai!” (Psalmi 34:6, 8). Dhe atë që Perëndia e bëri për Davidin dhe Fontella Bass, Ai do ta bëjë për ty nëse ja lë në dorë Atij.