Përgjigja e Perëndisë ndaj ankthit (1)
18. tetor e shtunë

“Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falenderim” Filipianëve 4:6

Ankthi është mallkimi i epokës moderne, por nuk është diçka e re. Përgjatë Shkrimit, Jezusi foli shumë për ankthin, stresin dhe frikën. Në fakt, ai i përsëriti disa herë në mësimet e Tij. Tek Mateu 6:25-27, Ai tha: “Mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani ose do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më me vlerë se ushqimi dhe trupi më me vlerë se veshja? Vini re zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër se sa ata? Dhe cili nga ju, me gjithë kujdesin e tij, mund t'i shtojë shtatit të tij qoftë edhe një kubit të vetëm?”.

Tani, Jezusi nuk i tha këto fjalë sa për të na lehtësuar frikërat dhe shqetësimet tona. Ajo që Ai po bënte ishte se po na urdhëronte të mos kemi ankth, sepse ajo tregon një mungesë besimi tek besnikëria e Perëndisë ndaj nesh. Pali shkruan: “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:6-7). Në vend që ta lësh frikën dhe ankthin të të kontrollojë, mund të kesh paqe duke ia sjellë shqetësimet e tua Perëndisë në lutje, ta falenderosh Atë me besim për përgjigjen dhe t’i besosh Atij të rregullojë gjërat ashtu siç vetëm Ai mund ta bëjë. Ndaj, çfarë po pret të bësh? Të shqetësohesh e të ngurrosh apo të lutesh dhe të kesh paqe? Zgjedhja është e jotja.