A je lënduar në kishë? (1)
13. tetor e hënë

“Unë do të ndërtoj kishën time” Mateu 16:18

Të lëndohesh nga një i krishterë tjetër mund të jetë diçka shkatërruese, por kisha është e mbushur plot me njerëz të papërsosur të cilët bëjnë gjëra që nuk duhet t’i bëjnë. Siç ka thënë C.S. Lewis: “Perëndia punon me ne në lloj-lloj mënyrash…mbi të gjitha ai punon me ne përmes njëri-tjetrit”.

Kështu që para se të heqësh dorë dhe të largohesh, konsidero këto sugjerime: 1) Prano se sa shumë u lëndove dhe fillo t’i bësh ballë. Arratisja nuk e arrin dot këtë. Afroju atij që të ka lënduar me përulje, i motivuar për t’u pajtuar. Diskuto dhimbjen tënde me qëllimin për t’u çliruar dhe për të ecur përpara. 2) Pyet: “Çfarë roli kam unë?”. Nëse nuk ka të bëjë aspak me ty, si rasti i një drejtuesi të besuar i cili ka rënë moralisht ose ligjërisht, pyete veten nëse ke vënë pritshmëri idealiste tek njerëzia e tij. A mendove se ishte i përsosur? Tani që e kupton se nuk është, a mund ta falësh? 3) Pyete Perëndinë se çfarë duhet të bësh më pas. Ai i di motivet në zemrat e njerëzve të përfshirë. Jepi Atij kohë të përgjigjet. 4) “Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës” (Fjalët e Urta 4:23). Zgjidh të ndjekësh Perëndinë, edhe kur të thyhet zemra. Vetëm Ai mund të vendosë motivet dhe synimet dhe Ai është i drejtë e i arsyeshëm. Por shumë herë, besnikëria jonë duhet të vijë para bekimeve të Tij. 5) Nëse ndihesh akoma se duhet të ikësh, premtoji vetes dhe Perëndisë se ke për t’u larguar mirë. Mos thuaj asgjë të keqe. Mos u largo i inatosur dhe prano të mirën, sado e vogël të jetë. Dhe më e rëndësishmja, mos u dorëzo. Perëndia është i mirë, kisha e Tij është e mirë dhe njerëzit kanë të meta, ndaj përkushtoju Perëndisë me një zemër të hapur.