Krijo një atmosferë të paqtë
18. nëntor e martë

“Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja” Kolosianëve 3:15

Sa paqe shfaq? Sa mirë i përballon vështirësitë në vendin e punës? A je gjithmonë i tensionuar apo duke u ankuar? A është tavolina jote e punës e pastër dhe e organizuar apo është e mbushur me pirgje letrash? Rrëmuja mund të të prishë mendjen dhe të të stresojë dhe mund të sosë paqen tënde. Po për sjelljen tënde në përgjithësi; a nxehesh gjithmonë për shkak të gabimeve të kolegëve të tu? A ke mësuar të mos mërzitesh nga gjërat e vogla? A ke ndaluar të mendosh se sa dëshmi e keqe është të mos tregosh paqe, e cila është një fryt i Frymës së Shenjtë? “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj” (Galatasve 5:22-23).

Po për rrugën tënde të përditshme drejt punës? A ulesh në makinë me qëllimin që të kesh një atmosferë të paqtë pavarësisht rrethanave që të dalin gjatë rrugës? Kur ishte hera e fundit që je lutur për një shofer të keq ose të pasjellshëm? A vendos muzikë qetësuese? Muzika e duhur mund të jetë një burim shumë i mirë paqeje. Kur mbreti Saul po mundohej nga një frymë e keqe, shërbëtorët e tij i thanë: “Zoti ynë të urdhërojë, pra, që shërbëtorët e tu që rrinë përpara teje të gjejnë një njeri që i bie mirë harpës; kur pastaj fryma e keq nga ana e Perëndisë do të të zotërojë, ai do t'i bjerë harpës dhe ti do ta ndjesh veten mirë” (1 Samuelit 16:16). Jezusi tha: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time” (Gjoni 14:27). Kjo do të thotë se kudo që të shkosh, mund të marrësh paqen e Perëndisë me vete.