Shko kur drita të jetë jeshile
9. korrik e mërkurë
“Kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” Gjoni 8:12
Në librin e tij “Mendime të thella” (Deep Thoughts), Jack Handley shkruan: “Ndërsa drita ndryshoi nga e kuqe në jeshile e në të verdhë dhe prapë në të kuqe, unë qëndrova atje ulur duke menduar për jetën time. A ishte e gjitha vetëm me të bërtitura dhe rënie borie? Ndonjëherë ashtu dukej”. Shumë prej nesh po presin për dritën jeshile, e cila tashmë na është dhënë. Jezusi tha: “Kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”. Kur vijnë mprehtësia, ndriçimi dhe drejtimi? Kur hedh hapat e parë të besimit. Ne nuk po mbrojmë një mënyrë të pamend dhe pa lutje të marrjes së vendimeve. Ti duhet të dish se Perëndia po të thërret. Por mund të kesh kaq shumë frikë nga bërja e gjësë së gabuar, sa që nuk bën as gjënë e duhur. Është gjë e mençur që të mendosh e të rimendosh, por jo të mendosh më shumë se ç’duhet. Analiza e tepërt çon në paralizë shpirtërore.
Një pastor shpjegon: “Nëse përpiqesh ta zbulosh vullnetin e Perëndisë logjikisht, nuk ke për ta hedhur kurrë hapin e besimit. Pse? Sepse vullneti i Perëndisë nuk është logjik. Është teologjik.” Fjala “theos” do të thotë “Perëndi”. Kështu që “teologjia” e përfshin Perëndinë. Pastori vazhdon: “Ja pse nuk na del në llogaritë tona njerëzore. Nxitjet e Frymës së Shenjtë nuk do të kenë gjithmonë kuptim në trurin tënd të majtë logjik. Në fakt, idetë e Perëndisë duken si ide të këqija. Por atëherë ti duhet ta lejosh Frymën e Shenjtë të dalë mbi intelektin tënd”. Dishepujt që Jezusi thirri bënë dy gjëra. Ata bënë mrekullira, ata bënë gabime. Po të mos ishin të gatshëm të bënin gabime ata nuk do ta kishin përjetuar kurrë gëzimin e të bërit mrekulli. Prandaj, shko kur drita të jetë jeshile.