Më shumë përgjegjësi kërkon për më shumë lutje
7. korrik e martë

“Ditën që do të të thërrasë ty, armiqtë e mi do të kthejnë krahët. Këtë e di, sepse Perëndia është për mua” Psalmi 56:9

Në ditët e para të Amerikës, një i huaj pyeti se si mund ta dallonte Xhorxh Uashingtonin mes atyre që ishin të pranishëm në Kongres. Atij iu tha: “Mund ta dallosh lehtësisht kur Kongresi bie në lutje. Uashingtoni është zotëria që gjunjëzohet”. Uashingtoni njihej si një njeri i lutjes. Kur fati i kombit të ri varej në fije të perit në Valley Forge, ai shpesh gjente prehje dhe çlirim në lutje. Një ditë, një fermer që po i afrohej kampit ushtarak të Uashingtonit dëgjoi një zë të përzemërt. Kur u afrua më shumë, pa Uashingtonin në gjunjë, me faqet e lagura nga lotët. Fermeri u kthye në shtëpi dhe i tha gruas së tij: “Xhorxh Uashingtoni do të ketë sukses dhe amerikanët do ta sigurojnë pavarësinë e tyre”. Gruaja e tij tha: “Isak, çfarë të bën të mendosh kështu?”. Ai u përgjigj: “E dëgjova sot duke u lutur në pyll dhe Zoti me siguri do ta dëgjojë lutjen e tij. Do ta dëgjojë, Hanah, ji e sigurt, do ta dëgjojë!”.

Kur kemi më pak, jemi më të vetëdijshëm për nevojën tonë dhe lutemi më shumë. Por, ndërsa fitojmë dhe arrijmë më shumë, bëhemi më të vetë-mjaftueshëm dhe lutemi më pak. Ky është një gabim. Sa më shumë që Perëndia të të besojë, aq më shumë ke nevojë për forcën e Tij, urtësinë e Tij, udhëheqjen e Tij dhe hirin e Tij. Davidi u ul në një fron dhe sundoi Izraelin. A ishte ai krenar apo arrogant? Jo. “Ditën që do të të thërrasë ty, armiqtë e mi do të kthejnë krahët. Këtë e di, sepse Perëndia është për mua…Kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?” (v. 9, 11). Prandaj, kjo është fjala për ty sot:  Më shumë përgjegjësi kërkon për më shumë lutje.