Ti ke nevojë për më shumë nga Fryma e Shenjtë (1)
24. korrik e premte
“Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë…do t'ju mësojë çdo gjë” Gjoni 14:26
Jezusi tha: “Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë…do t'ju mësojë çdo gjë dhe do t'ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë”. Kur të duhet të marrësh një vendim të rëndësishëm, ti ke nevojë për “frymën e diturisë dhe të zbulesës” (Efesianëve 1:17). Kur gjendesh në një situatë të vështirë dhe je i pasigurt se çfarë të thuash: “Thoni çfarë t'ju jepet në atë çast, sepse nuk jeni ju që flisni, por Fryma e Shenjtë” (Marku 13:11). Kur e ke të vështirë të tregosh dashuri: “Fryti i Frymës është dashuria” (Galatasve 5:22). E njëjta gjë është e vërtetë me çdo fryt të Frymës. A ke nevojë të fitosh mbi një varësi? “Fryti i Frymës është…vetë-kontrolli” (v. 22-23).
Sigurisht, ky është një oksimoron, sepse nuk vjen nga ti. Është Fryma që e prodhon atë, prandaj është në të vërtetë kontrolli i Frymës. Ajo që të duhet më shumë është Fryma e Shenjtë. Dhe për të dhënë një sqarim, Fryma e Perëndisë nuk do vetëm të të mbushë; Ai gjithashtu do të të zgjerojë dhe të rrisë kapacitetin tënd. Nëse ndihesh se jeta jote është në kaos sot, Fryma e Perëndisë po fluturon mbi ty—ashtu si bëri në fillimet e krijimit, kur solli dritë nga errësira, rend nga kaosi dhe bukuri nga asgjëja (shiko Zanafilla 1:1-3). Pa marrë parasysh se çfarë pyetje ke, Fryma e Shenjtë është përgjigjja. Pa marrë parasysh se me çfarë problemi përballesh, Fryma e Shenjtë është zgjidhja. Të duhet aq shumë prej Tij sa mund të marrësh, prandaj të duhet të dorëzosh sa më shumë prej vetes tek Ai.

