Lejo që në jetën tënde të vijë ndryshimi
26. dhjetor e premte
“Do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di” Jeremia 33:3
Dr. Ernest Sachs donte të sillte ndryshim në botë. Dhe ai e solli. Vite më parë shumica e tumorëve të trurit ishin fatalë. Sachs kishte dëgjuar një kirurg që parashikoi se një ditë një kurë do të zbulohej, e cila mund të shpëtonte gjitha ato jetë dhe ai vendosi të ishte vetë ky kirurg. Në atë kohë, eksperti kryesor në anatominë e trurit ishte Sër Victor Horsley. Sachs mori leje për të studiuar me të, por ndjeu se duhet të përgatitej për këtë përvojë duke studiuar për gjashtë muaj me disa nga doktorët më të aftë në Gjermani. Më pas ai shkoi në Angli, ku për dy vite ndihmoi Dr. Horsley në eksperimente të gjata dhe të ndërlikuara mbi shumë majmunë. Kur Sachs u kthye në Amerikë, ai u tall nga institucioni mjekësor për faktin se kërkoi të trajtonte tumoret e trurit. Për vite të tëra ai luftoi pengesat dhe shkurajimin, i shtyrë nga një dëshirë për të patur sukses në misionin e tij. Dhe e arriti suksesin! Sot, më së shumti, falë Dr. Sachs, shumica e tumoreve të trurit mund të kurohen. Dhe libri i tij “Diagnosis and Treatment of Brain Tumors” konsiderohet si autoriteti standard mbi atë temë.
Vetëm se diçka nuk është e bërë në të tashmen nuk do të thotë se s’mund të bëhet. Dhe ndoshta ti do jesh ai që do ta bëjë! Dhe si një fëmijë i shpëtuar i Perëndisë, mendo për avantazhin që ke: “M'u drejto dhe unë do të të përgjigjem dhe do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di”. “Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja” (Fjalët e Urta 2:6). Përdor besimin tënd dhe besoji Perëndisë për gjërat e mëdha.

