Si të merresh me njerëzit stresues
12. tetor e diel
“Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit” Romakëve 12:18
Ndonjëherë është e vështirë të jesh në paqe me disa njerëz. Duke e kuptuar këtë realitet, apostulli Pal, në thelb tha: “Bëj çdo gjë që të mundesh dhe përpiqu ta bësh të funksionojë”. Përveç marrëdhënies besëlidhëse që ke me burrin ose gruan tënde dhe përgjegjësinë tënde mbi fëmijët, nëse je i mençur, do të lutesh dhe do të vlerësosh marrëdhëniet e tua të tjera dhe do të dish se sa kohë duhet të investosh tek ato. Për shembull: nëse ke një të afërm i cili është gjithmonë argumentues dhe negativ, mos e vër veten në pozita ku duhet të flasësh me të në përditëshmëri. Vetëm festat së bashku mjaftojnë! E njëjta gjë dhe me miqtë. Ata të cilët bëjnë thashetheme, i përflasin të tjerët, konkurrojnë me ty, ose flasin ashpër, duhet t’i takosh më rrallë – përveçse nëse Zoti të drejton që të kalosh më shumë kohë me ta për t’i dhënë Fjalën e Tij.
Nuk je i detyruar të kalosh kohë me ata të cilët ta prishin paqen. Solomoni ka thënë: “Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak” (Fjalët e Urta 22:24). Pali paralajmëroi: “Të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe skandale…të largoheni nga ata” (Romakëve 16:17). Kur je në shoqërinë e një njeriu stresues, bëji vetes këto pyetje: “A do më rrisë durimin kjo situatë nëse e duroj në vend që t’i largohem? Pse më stresojnë veprimet e këtij njeriu? A mund të jetë se po reflekton vetë sjelljen time? Pse po vazhdoj të qëndroj me të?”.
Lutje: “Atë, kam nevojë të më ndihmosh të dalloj se kur dhe si të jem me njerëzit stresues që dashuria jote të shkëlqejë përmes meje vazhdimisht”.