A do të dëgjosh Krishtin apo krizën?
14. maj e enjte
“Kalojmë te bregu matanë” Marku 4:35
Jezusi u tha dishepujve: “Kalojmë te bregu matanë”. Më pas, ne lexojmë: “Ndërkaq shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë” (v. 37). Dishepujt u kthyen nga Jezusi dhe e gjetën atë duke fjetur gjumë! Ata bërtitën: “Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?” (v. 38 NIV). Jezusi u zgjua, e urdhëroi stuhinë që të pushonte dhe më pas u tha dishepujve: “Si nuk keni besim?” (v. 40). Çfarë qortimi! Deti po tërbohej; uji po trazohej. Pse i qortoi Jezusi? E thjeshtë: ata nuk e besuan Fjalën e Tij. Ai tha se po shkonin në anën tjetër. Ai nuk tha: "Po shkojmë në mes të liqenit për t'u mbytur". Jezusi e kishte shpallur rezultatin. Por kur erdhën stuhitë, dishepujt dëgjuan gjëmimin e erërave dhe e harruan Fjalën e Tij.
Stuhitë do të vijnë edhe drejt teje. Erërat do të ulërijnë, varka jote do të përmbyset dhe do të kesh një zgjedhje: A do ta dëgjosh Krishtin apo krizën? A do t'u kushtosh vëmendje premtimeve të Shkrimit të Shenjtë apo zhurmës së stuhisë? Perëndia i tha Jozueut të “meditonte mbi [Shkrimin] ditë e natë” (shih Jozueu 1:8). Fjala ‘meditim’ do të thotë të “murmuritësh” mbi atë që po lexon. Imazhi është ai i një personi që reciton, përsërit dhe rishqyrton Fjalën e Perëndisë vazhdimisht. Pali thotë: “Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njëri-tjetrin” (Kolosianëve 3:16). Fillo me një lutje: “Perëndi, të lutem foli zemrës sime sot ndërsa lexoj”. Më pas, lexo me një zemër të hapur derisa mesazhi të të prekë.

