Ji një baba!
21. qershor e diel
“Ai do të bëjë që zemra e etërve t'u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve” Malakia 4:6
Në vitin 1985, Tim Burke pa të bëhej realitet ëndrra e tij e fëmijërisë, kur ekipi i bejsbollit Montreal Expos e mori si hedhës, duke i ofruar një pagë vjetore prej 600,000 dollarësh. (Në atë kohë, kjo ishte shumë e madhe për një lojtar.) Pas katër vitesh në ligat e vogla, atij më në fund iu dha mundësia të luante në ligën e madhe. Dhe ai e provoi shpejt vlerën e tij, duke vendosur një rekord për numrin më të madh të paraqitjeve si hedhës rezervë nga një lojtar debutues. Gjatë kësaj kohe, megjithatë, Tim dhe bashkëshortja e tij, Christine, adoptuan katër fëmijë me nevoja të veçanta — dy vajza nga Koreja e Jugut, një djalë me aftësi të kufizuara nga Guatemala dhe një tjetër djalë nga Vietnami. Të gjithë fëmijët kishin lindur me sëmundje ose defekte shumë serioze, dhe as Tim, as Christine nuk ishin të përgatitur për kërkesat e jashtëzakonshme që do të sillte një familje e tillë. Dhe për shkak të orarit tepër të lodhshëm të bejsbollit profesionist, Tim rrallëherë ishte i pranishëm për të ndihmuar. Pasi bëri një kërkim të thellë shpirtëror dhe vendosi se cilat ishin përparësitë e vërteta të jetës së tij, Tim bëri diçka që i habiti të gjithë — ai hoqi dorë nga karriera e tij e ëndrrave në bejsbollin e ligës së madhe. Kur gazetarët e pyetën ta shpjegonte këtë vendim të pabesueshëm, ai tha thjesht:
“Bejsbolli do t’ia dalë shumë mirë edhe pa mua. Por unë jam i vetmi baba që kanë fëmijët e mi”.
Heronjtë janë të paktë në ditët e sotme. Dhe Tim Burke është një prej tyre. Baba, edhe ti mund të jesh një i tillë. Shumica e investimeve në jetë përfshijnë rrezik dhe mund të çojnë në pendesë. Por nuk do të pendohesh kurrë për asnjë çast dashurie, kohe dhe përpjekjeje që investon te fëmijët e tu. Prandaj, ji një baba.

