Mendo për shtëpinë tënde qiellore
17. dhjetor e mërkurë
“Unë po shkoj t’ju përgatis një vend” Gjoni 14:2
Bibla flet për qiellin mbi pesëqind herë, me detaje për shtëpinë tonë të përjetshme. Para se të kthehej në qiell, Jezusi i ngushëlloi dishepujt e vet duke thënë: “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t'ju thoja. Unë po shkoj t'ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t'ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t'ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (vargjet 2-3). Fjala greke që përkthente fjalën “vend” është “topos”, e cila i referohet një vendi specifik dhe të gjetshëm. Qielli është një vend i vërtetë fizik, ku ne një ditë do të jemi me Jezusin dhe të afërmit tanë të shpëtuar. Dhe Perëndia ka vënë brenda zemrave të secilit prej nesh një dëshirë për qiellin (shiko Predikuesit 3:11).
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Franklin Roosevelt e kishte të vështirë të udhëtonte mes ushtarëve për shkak të aftësisë së tij të kufizuar, kështu që gruaja e tij, Eleanor, zuri vendin e tij. Ajo u pëlqye shumë nga ushtarët. Ajo dërgonte telegrafe dhe letra tek presidenti, duke shërbyer si sytë dhe veshët e tij. Në një udhëtim drejt Oqeanit Paqësor, ajo kaloi një mbrëmje duke folur me një grup ushtarësh dhe më pas i tha burrit të saj se ata kishin vetëm një gjë në mendje – dëshirën për të mbaruar luftën që të mund të ktheheshin në shtëpi. Kështu ndjehen fëmijët e shpëtuar të Perëndisë për qiellin. Ne vendosemi në Tokë, por detyra jonë është vetëm e përkohshme. Psalmisti ka thënë: “Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata” (Psalmi 23:6). Dhe ne këtë po presim, apo jo? Të jetojmë në shtëpinë e Zotit përgjithmonë.

