Besimi nuk është besim deri sa të veprosh sipas tij
13. korrik e diel
“Besimi, pa vepra, është i vdekur” Jakobi 2:26
A është e mundur se perceptimi negativ që njerëzit kanë ndaj kishës vjen nga energjia negative që ne përcjellim? Dhe a është e mundur që energjia jonë negative vjen nga këndvështrimi ynë negativ i drejtësisë? Ne gabimisht e shohim drejtësinë si të mos bërit asgjë të keqe: “Mos bëj këtë. Mos bëj atë. Dhe je në rregull”. Problemi me këtë qëndrim është se mund të mos bësh asgjë të keqe dhe prapë mos të bësh gjënë e drejtë; atë që Perëndia po të kërkon të bësh. Drejtësi do të thotë të bësh më shumë sesa të mos bësh të keqen. A mendon se ëndrra përfundimtare e Perëndisë për ne është që të mos bëjmë asnjë të keqe? Ty të pëlqen kur fëmijët e tu marrin një vendim të vështirë për të mos bërë diçka të keqe. Por ajo që të jep gëzim më të madh është kur i shikon ata të zhvillojnë dhuntitë e tyre dhe rrisin potencialin e tyre. Dhe këtë do Perëndia për secilin prej nesh.
Bibla flet për dy lloje mëkatesh: mëkatin e kryer, pra kur bën diçka që nuk duhet ta kishe bërë dhe mëkatin e mosveprimit, të gjitha gjërat që mund dhe duhet t’i bënim që mbretëria e Perëndisë të përparonte, të cilat nuk i bëmë. Një pastor shkruan: “Në ekonominë e Perëndisë, mos shtimi është një humbje e plotë. A nuk është ky mësimi i shëmbulltyrës së talentave? Shërbëtori me një talentë nuk shtoi…dhe Jezusi e quajti të “mbrapshtë dhe përtac” (Mateu 25:26). Rreziku më i madh është të mos rrezikosh…Drejtësia është përdorimi i të gjitha dhuntive tona të dhëna nga Zoti në potencialin e tyre të plotë të dhënë nga Zoti. Dashuria nuk vepron me siguri; kërkon të rrezikosh. Dashuria nuk nxjerr justifikime; kërkon përgjegjësi. Dashuria nuk sheh probleme; ajo kap mundësitë për të bërë një hap përpara”.