Perëndia do të punojë përmes teje (2)
22. nëntor e shtunë
“Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju” Gjoni 20:21
Jezusi tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri. Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t'i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni” (Gjoni 5:19-20). Kërkesat ndaj Jezusit nuk kishin fund. Të sëmurët donin që Ai t’i ndihmonte. Farisenjtë donin ta fusnin në debate teologjike. Dishepujt e Tij donin që Ai të shkonte në disa vende e jo në të tjera. Por në çdo hap që Jezusi hodhi, çdo vepër që Ai bëri dhe çdo pyetje të cilës Ai i dha përgjigje ishte sipas udhëzimeve të Atit të Tij qiellor. Ja pse Ai nuk u lodh. Ja pse Ai mund të thoshte natën para kryqëzimit: “Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj” (Gjoni 17:4).
Tani e kupton se pse Jezusi shpesh lutej gjithë natën dhe zgjohej herët në mëngjes për t’u lutur ndërsa dishepujt e Tij ishin akoma duke fjetur. Ai kishte vetëm një qëllim: të bënte atë që Perëndia donte të bëhej atë ditë. A është e thjeshtë? Jo. Njerëzit do të të bëjnë presion dhe nevojat e papërmbushura do të të bëjnë të ndihesh fajtor përveçse nëse je plotësisht i qartë mbi atë që Perëndia do që të bësh. Dhe që ta dish këtë kërkohet intimitet, varësi, ndjeshmëri dhe bindje ndaj Perëndisë. Por të jetosh në këtë mënyrë të sjell një nivel gëzimi dhe përmbushjeje që nuk mund të gjendet tek asgjë tjetër. Dhe kjo është jeta të cilën je thirrur të jetosh, sepse Jezusi tha: “Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju” (Gjoni 20:21).

