Duke mësuar prej Moisiut (3)
26. Tetor E Hënë

“Sepse i drejtonte sytë nga shpërblimi” Hebrenjve 11:26 NIV

E treta: Ti duhet të përcaktosh përparësitë e tua. “(Ai) e çmoi dhunën e Krishtit si pasuri më të madhe nga thesaret e Egjiptit, sepse i drejtonte sytë nga shpërblimi”. Pjesa më e madhe e pasurisë botërore në atë kohë ishte e ruajtur në Egjipt. Prandaj Moisiu i kishte tashmë ato që shumica e njerëzve harxhojnë gjithë jetën e tyre për t’i pasur: popullaritet, kënaqësi dhe pasuri. Megjithatë, Perëndia i kërkoi atij që të bënte diçka që ishte shumë më e rëndësishme – dhe ai e bëri. Ajo ishte një çështje përparësish. Moisiu me shumë lehtësi mund të kishte arsyetuar: “Gjendja e skllevërve është e keqe, kështu që do të qëndroj në sistem dhe do të punoj për reformën”.

Shumica prej nesh duan që të pëlqehen prej të tjerëve, por ka një problem të madh në lidhje me popullaritetin: Ai nuk zgjat kurrë. Ti mund të jesh ylli ndriçues në konvikt për një farë kohe, por kur të kthehesh pas disa vitesh pas diplomimit, ti me shumë mundësi do të zbulosh se askush nuk mendon se ti je i veçantë. Më pas, ka kënaqësi. A është kënaqësia e gabuar? Ajo nuk është e gabuar nëse nuk është mëkatare. Më pas, vijnë pasuritë. Dhe nuk ka asgjë të gabuar me suksesin material. Disa prej njerëzve më të mëdhenj në Bibël ishin jashtëzakonisht të pasur, duke përfshirë Abrahamin dhe Salomonin.

Por Jezusi tha: “Pastaj u tha atyre: ‘Kini kujdes dhe ruhuni nga kopracia, sepse jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron”’ (Luka 12:15 NIV). Përfundimisht, pasuria nuk sjell lumturi. Pyet njerëzit që e kanë: “Sa shumë para duhet që të jesh i lumtur?”. Përgjigjia: “Vetëm pak më shumë!”.

Paraja duhet përdorur, jo dashur! Perëndia do që ne t’i përdorim gjërat dhe t’i duam njerëzit. Por nëse ne duam gjërat, do të përfundojmë duke përdorur njerëzit. Moisiu kishte përparësitë e duhura; ai i zhvlerësonte gjërat materiale, sepse kishte diçka shumë më të rëndësishme në jetën e tij – domethënë, vullnetin e Perëndisë.