Kjo përvojë po të përgatit
30. janar e premte
“Zoti që më shpëtoi nga kthetrat e luanit dhe nga panxha e ariut, do të më shpëtojë edhe nga dora e këtij filisteu” 1 Samuelit 17:37
Çdo përvojë në të kaluarën tonë na ka përgatitur për mundësi në të ardhmen. Perëndia nuk shpengon vetëm shpirtrat tanë; Ai shpengon gjithashtu edhe përvojat tona, si të mira ashtu edhe të këqija. Ai e bën këtë duke rafinuar karakterin tonë, duke zhvilluar dhuntitë tona dhe duke na dhënë mësime që ne nuk mund t’i mësojmë në një mënyrë tjetër. Ne i mësojmë mësimet më të rëndësishme në klasën e jetës nëpërmjet përvojave të dorës së parë. Sprovat janë sfiduese, por asnjë kurrikulë nuk është më efektive se kjo. Dhe mënyra se si e kalon sprovën është duke u rritur në karakter, duke zhvilluar dhuntinë ose duke e mësuar mësimin që Perëndia po përpiqet të të mësojë përmes asaj përvoje. Perëndia është në veprim në jetën tënde. Ai po të ndihmon që të përgatitesh për takimin tënd me mundësinë. Dhe Ai po e bën këtë në mënyra që janë praktikisht të paperceptueshme.
Davidi e kuptoi që vrasja e luanit dhe ariut e kishte përgatitur atë për të rrëzuar Goliathin. Dhe kur ti të përballesh me sfidën tënde më të madhe, atëherë Perëndia do të identifikojë se si, kur dhe ku Ai të ka përgatitur ty. Pikërisht atëherë ti kupton se beteja ishte fituar shumë kohë më parë se të qëndroje në fushën e betejës. Ishte e nevojshme për Moisiun që të kujdesej për delet dyzet vjet përpara se ai të udhëhiqte tufën e Izraelit. Dishepujt duhej të peshkonin peshq përpara se ata të peshkonin njerëz. Çdo takim hyjnor paraprihet nga një kohë përgatitjeje. Dhe nëse ne i dorëzohemi përgatitjes, Perëndia do ta përmbushë premtimin e Tij. Nëse ne nuk e bëjmë këtë, as Ai nuk do ta bëjë. Kjo ndodh për arsyen se Perëndia nuk na vë kurrë përballë diçkaje që ne të dështojmë. Koha që ti kalon në errësirë po të përgatit për kohën kur do të jesh në dritë. Koha që po kalon në stërvitje po të përgatit që të jesh në linjën e frontit – dhe të fitosh.

