Lëri të shkojnë (2)
14. Shkurt E Premte

‘Por nuk ishin nga tanët’ 1 Gjonit 2:19 NIV (Botimi 2011)

Ka disa njerëz në jetë me të cilët kalojmë mirë dhe disa të tjerë me të cilët nuk kalojmë mirë. Dhe në disa raste nuk ka pse të ndodhë kështu! Por le të jemi të qartë: nuk po flasim për të qenurit të padashur, të pandjeshëm apo përçarës. Pali thotë: ‘Po të jetë e mundur...jetoni në paqe me të gjithë njerëzit’ (Romakëve 12:18 NLT). Ne po flasim për njerëz për të cilët Perëndia na flet specifikisht që të largohemi prej tyre. Kur vjen puna për ata që nuk i përkasin jetës sonë, janë dy gjëra që duhen marrë në konsideratë. Së pari, është zbulesa. Bibla thotë: ‘Mes nesh dolën, por nuk ishin nga tanët, sepse, po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne; por kjo ndodhi që të dalë se nuk janë të gjithë nga tanët’. Ashtu siç nuk mund të fusësh një kub në një rreth apo të përziesh ujin me vajin, po ashtu ka njerëz që thjesht nuk i përkasin jetës tënde. Së dyti, ka ndarje. Pali tha: ‘Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët...çfarë afrie ka drita me terrin? Dhe ç'harmoni ka Krishti me Belialin? Ose ç'pjesë ka besimtari me jobesimtarin? Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: "Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im". Prandaj "dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t'ju pranoj dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat”’ (2 Korintasve 6:14-18 NIV, Botimi 2011). Thelbi: kur Perëndia të  thotë se një marrëdhënie nuk është e duhur, dëgjoje dhe bindju Atij.