‘Ati yt të ka në dorën e vet!’
11. Qershor E Martë

‘Ata janë të mbrojtur nga Shkatërruesi’ Gjoni 10:28 MSG

Në një pasdite të nxehtë në Florida, një djalë i vogël po notonte në liqenin pas shtëpisë së tij dhe nuk e pa aligatorin që po e ndiqte atë. Babai i tij, i cili po punonte në kopsht e pa dhe i thirri të birit që të kthehej. Por shumë vonë! Sapo djali arriti tek i ati, aligatori e kapi djalin. Në një luftim të jashtëzakonshëm, babai kapi krahët e djalit ndërsa aligatori kapi këmbët e tij. Aligatori ishte i vendosur, por babai ishte edhe më i vendosur që të mos e lëshonte të birin. Një fermer që po udhëtonte me makinë i dëgjoi të bërtiturat, u hodh jashtë nga kamioni i tij dhe e vrau reptilin. Në mënyrë të mrekullueshme, djali mbijetoi dhe pas javësh të tëra në spital ai u intervistua nga gazeta lokale. Ai i tregoi reporterit shenjat e tmerrshme në këmbët e tij, pastaj me krenari të dukshme shtoi: ‘Unë kam shenja të mëdha edhe tek krahët e mi, sepse babai im më mbajti dhe nuk më lëshoi për asnjë çast!’. Jezusi tha: ‘[Ju] jeni të mbrojtur nga Shkatërruesi…Askush nuk mund t’ju vjedhë…nga dora ime’. Kjo nuk do të thotë se armiku nuk do përpiqet. AI do të të bëjë të mendosh se je aq larg nga Perëndia, saqë nuk ka asnjë rrugë kthimi për në shtëpi. Ai do dërgojë të tjerë që të të sulmojnë me dekurajim dhe faj. Ai do të të tundojë që të largohesh prej Perëndisë. Ti madje mund të marrësh edhe vendime të gabuara që do të të lënë shenja si frymërisht ashtu edhe emocionalisht, por kur ti i përket Perëndisë askush nuk mund të të ketë! Asnjë rrethanë nuk mund të të largojë prej dashurisë së Tij (shiko Romakëve 8:38). Asnjë rrjedhojë nuk mund të të vjedhë prej dorës së Atit tënd. ‘Ati yt të ka në dorën e vet!’. Lejo që këto fjalë të fuqishme sigurie të të japin sot paqe.