Të forcosh martesën tënde (1)
8. dhjetor e hënë
“Në nderim tregoni kujdes njëri me tjetrin” Romakëve 12:10
Sado e mirë të jetë martesa jote, mund ta bësh më të mirë. Autori Jon Gordon shkruan: “Gruaja ime dhe unë sapo festuam tetëmbëdhjetë vjetorin e martesës sonë. Kemi mësuar dhe jemi rritur shumë…dhe dua të ndaj disa nga mësimet e marrëdhënies sonë: (1) Zgjidh me zgjuarsi. Një nga vendimet më të rëndësishme që do të bësh ndonjëherë ka të bëjë me personin që do martohesh. Do ta dish se je me njeriun e duhur kur të të japi fuqi. Duke parë pas…nuk ka mundësi që t’ia kisha dalë mbanë pa gruan time. Dashuria, mbështetja, besimi dhe inkurajimi i saj më dha fuqi. Ajo besoi tek unë atëherë kur askush nuk besonte. (2) Ji i gatshëm të përmirësohesh dhe të rritesh. Në fillim të martesës sonë marrëdhënia jonë nuk ishte shumë e mirë. Unë isha i ri, egoist dhe shumë negativ. Një ditë gruas sime i erdhi në majë të hundës: ‘Unë të dua por nuk do ta kaloj jetën time me dikë që më bën të ndihem e mjerë. Duhet të ndryshosh’. E pashë veten dhe kuptova që ajo kishte të drejtë. Kështu që u bëra i gatshëm të ndryshoja dhe të bëhesha një ndikim pozitiv tek gruaja ime, tek fëmijët e mi dhe tek të tjerët.
(3) Komuniko. Komuniko. Komuniko! Shumica e marrëdhënieve prishen për shkak të komunikimit të dobët. Ne kemi patur mosmarrëveshjet tona përgjatë viteve, por gjithmonë kemi folur me njëri-tjetrin dhe kjo na ka mundësuar të bëhemi më të fortë së bashku. (4) Prano kur e ke gabim. E kam patur gabim shumë herë dhe e kam pranuar. Gjithashtu kam pranuar se e kam patur gabim edhe kur mendoja se kisha të drejtë. E dija se gruaja ime ishte e shqetësuar dhe ishte më e rëndësishme që ajo të ndihej e dashur se sa unë të ndihesha i drejtë. Kërkon pjekuri dhe vullnet për ta vënë bashkëshorten tënde mbi egon tënde”.

