Vazhdo të lutesh dhe të besosh
1. Dhjetor E Diel

‘Shumë thonë për mua: “Nuk ka shpëtim për të pranë Perëndisë”’ Psalmi 3:2 NLT

A je lutur për vite që Perëndia do e shpëtojë bashkëshortin tënd, bashkëshorten tënde, fëmijët e tu apo miqtë e tu? A dëshiron zemra jote që të shohësh njerëzit që do t’i shërbejnë Atij? A po dekurajohesh? A të ka thënë ndokush: ‘Po humb kohën kot, se ata nuk do të ndryshojnë kurrë’? Nëse po, lexo atë që shkroi psalmisti: ‘Shumë thonë për mua: “Nuk ka shpëtim për të pranë Perëndisë”. Por ti, o Zot, je një mburoje rreth meje; ti je lavdia ime dhe ai më larton kokën. Me zërin tim i thirra Zotit dhe ai m'u përgjigj nga mali i tij i shenjtë’ (v. 2-4 NKJV). Kushtoji vëmendje të veçantë frazës ‘shumë thonë për mua’. Çdo njeri ka një opinion, por derisa Perëndia të ketë folur mbi çështjen, juria s’mund të marrë asnjë vendim! Për sa kohë që Ai është ende mbi fron dhe premtimet e Tij janë ende të vërteta, vazhdo të lutesh dhe të besosh për një mrekulli. ‘Por ata janë shumë larg prej Perëndisë tani për tani!’, thua ti. Ata mund të jenë, por lexo këtë dhe gëzohu: ‘Ja, dora e Zotit nuk është tepër e shkurtër për të shpëtuar, as veshi i tij nuk është tepër i rënduar për të dëgjuar’ (Isaia 59:1 NKJV). Personat e tu të dashur nuk janë shumë larg prej Perëndisë. Ata mund të jenë ngatërruar me drogën dhe alkoolin, mund të jenë përfshirë në një tradhëti bashkëshortore ose madje mund të jenë në burg. Çfarëdo që të jenë ata sot, krahu i gjatë i hirit të Perëndisë mund t’i arrijë dhe t’i shpëtojë ata. Satani e di këtë dhe do të të dekurajojë që ti të heqësh dprë. Mos e bëj! Ashtu si energjia elektrike kalon përmes telave, fuqia e Perëndisë kalon përmes lutjeve të tua. Prandaj vazhdo të lutesh dhe t’i besosh Perëndisë!