Vazhdo të vraposh!
20. qershor e shtunë
“O Zot, bëj që të ringjallet vepra jote gjatë viteve” Habakuku 3:2
Bibla e krahason jetën e krishterë me një maratonë. Shkrimtari i letrës së Hebrenjve thotë: “Duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin” (Hebrenjve 12:1-2). Pali i shkroi besimtarëve filipianë: “Por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara, po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus” (Filipianëve 3:13-14).
Ka shumë mundësi që ti të mos jesh as në vijën e nisjes, as te shiriti i finishit. Ti je diku në mes. Kur vrapohet një garë, nisja është gjithmonë e mbushur me entuziazëm dhe energji. Edhe fundi mban një premtim të madh, ndërsa vrapojmë segmentin e fundit dhe arrijmë qëllimin. Por mesi i garës — kur jemi tashmë shumë larg nisjes dhe nuk jemi të sigurt sa larg është finishi — është ai që shpesh na vë në provë. Prandaj profeti Habakuk shkroi: “O Zot, bëj që të ringjallet vepra jote gjatë viteve!”. Është pikërisht “në mes”, ose në mes të garës, që kemi nevojë për inkurajim, që na duhet fryma e dytë dhe që duhet të rifokusojmë vëmendjen te çmimi që na pret. Ata që kanë vrapuar para nesh e kanë kaluar stafetën brez pas brezi, përmes shekujve — pa e lëshuar kurrë nga dora. Çfarë duhet të bësh ti? Merre stafetën, vrapo dhe vazhdo të vraposh!

