Ngrije nivelin
22. qershor e hënë

“Por Jonathani…vëllai i Davidit, e vrau” 2 Samuelit 21:21

Pasi Davidi vrau Goliathin, katër burra të tjerë, përfshirë nipin e tij Jonatanin, vranë gjigantë që u ngritën kundër izraelitëve. “U bë një betejë tjetër në Gath, ku ishte një njeri me shtat të lartë, i cili kishte gjashtë gishtërinj në çdo dorë dhe gjashtë gishtërinj në çdo këmbë, gjithsej njëzet e katër gishtërinj; edhe ai ishte një pasardhës i gjigantëve. Ai e fyu Izraelin, por Jonathani, bir i Shimeahut, vëlla i Davidit, e vrau” (2 Samuel 21:20-21). Davidi e kishte ngritur nivelin. Të qenit dëshmitarë të mposhtjes së asaj që më parë ishte konsideruar e pamundur, u dha të tjerëve forcën për të përballuar gjigantët e tyre.

Deri në vitin 1954, askush nuk kishte vrapuar ndonjëherë një milje për më pak se katër minuta dhe shumica e njerëzve mendonin se kjo ishte pothuajse e pamundur. Por më 6 maj 1954, në një garë atletike të Universitetit të Oksfordit, Roger Bannister e përshkoi distancën për 3 minuta e 59.4 sekonda. Ai e kishte vrarë gjigantin. Dy muaj më vonë, australiani John Landy e theu rekordin e Bannisterit, duke vërtetuar se milja nën katër minuta ishte po aq një pengesë psikologjike sa edhe fizike.

Në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, shumë njerëz u përpoqën të ngjiteshin në malin Everest dhe dështuan. Ai ishte gjiganti i paarritshëm në botën e alpinistëve. Më 29 maj 1953, Edmund Hillary dhe udhërrëfyesi i tij, Tenzing Norgay, u bënë njerëzit e parë që arritën majën. Që nga ajo kohë, mbi një mijë alpinistë, nga mosha gjashtëmbëdhjetë deri në gjashtëdhjetë vjeç, e kanë përfunduar këtë ekspeditë. Davidi, Bannisteri dhe Hillary i mposhtën gjigantët e kohës së tyre dhe frymëzuan të tjerët t’i barazonin e madje t’i tejkalonin arritjet e tyre. Ti i bën një padrejtësi vetes dhe të tjerëve kur ikën nga gjiganti yt. Duhet të ndalosh së frikësuari nga përballja me detyra të vështira dhe t’i kujtosh vetes: “Nëse Perëndia e ka bërë më parë, Ai mund ta bëjë përsëri; dhe nëse e ka bërë për të tjerët, mund ta bëjë edhe për mua”.