Vlerësoji pritjet e tua
13. gusht e enjte
“Shpirti im, gjej prehje vetëm te Perëndia, sepse shpresa ime vjen nga ai.” Psalmi 62:5
Të gjithë kemi pritshmëri ndaj të tjerëve. Shpesh herë, mund të mos jemi plotësisht të vetëdijshëm për pritshmëritë tona, ose nuk i shprehim ato, apo nuk pranojmë se janë jorealiste. Për këtë arsye, ato mund të na shkaktojnë shumë irritim. Pritshmëritë e parealizuara gjithmonë krijojnë stres, nëse ua lejojmë këtë. Fatkeqësisht, disa nga pritshmëritë më të dëmshme janë ato që kemi ndaj vetes sonë. “Duhet të jem në gjendje të rris tre fëmijë, të kem darkën gati çdo mbrëmje, të punoj çdo ditë për dhjetë orë dhe të dukem e përsosur kur burri im hyn në derë.”
Bëj një listë të pritshmërive të tua kryesore, duke filluar me njerëzit më të rëndësishëm në jetën tënde dhe rendit pritshmëritë kryesore që ke për secilin prej tyre. Mundohu të jesh objektiv/e për të vlerësuar nëse ato janë realiste. Kupto origjinën ose arsyen thelbësore të një pritshmërie. A i ke ndarë këto pritshmëri me të tjerët? Nëse jo, pse jo? A ke frikë nga refuzimi? Cila është gjëja më e keqe që mund të ndodhë? A je i/e gatshëm/me të negociosh disa nga pritshmëritë e tua? Për të ruajtur paqen tënde, mund të ketë raste kur do të duhet të heqësh dorë nga disa pritshmëri. Psalmisti shkroi: “Shpirti im, gjej prehje vetëm te Perëndia, sepse shpresa ime vjen nga ai.” Kjo do të thotë se mund të të duhet të presësh më pak nga njerëzit dhe më shumë nga Perëndia. Mos e vendos veten në një pozitë irritimi. Silli pritshmëritë e tua para Perëndisë për vlerësim. Lejoje Atë të largojë ato që janë jorealiste dhe të të japë guximin për t’i shprehur ato që duhen komunikuar. Ki besim se Perëndia do të ndikojë në zemrat e atyre që janë të përfshirë, në mënyrë që pritshmëritë e tua të mos kthehen në burim stresi as për ty, as për ta.

