Lumturia e tretë
23. mars e hënë

“Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën” Mateu 5:5

Të jesh “zemërbutë” nuk do të thotë të jesh një rrogoz dere ose të jesh i pavendosur, i ndrojtur, i frikësuar ose pa shtyllë kurrizore. Nuk do të thotë të sillesh si një humbës ose si një frikacak i dobët. Butësia është “fuqi nën kontroll”. Bibla thotë se Moisiu ishte njeriu më i butë në faqen e dheut në kohën e tij (shih Numrat 12:3). Megjithatë, ai ishte i gatshëm të përballej ballë për ballë me Faraonin, të udhëhiqte një popull që murmuriste nëpër një shkretëtirë dhe të ngjitej në një mal që dridhej e lëshonte tym për t’u takuar personalisht me Perëndinë e Plotfuqishëm. Jezusi e përshkroi Veten si “zemërbutë dhe i përulur nga zemra” (Mateu 11:29). Megjithatë, Ai ishte njeriu më i guximshëm që ka jetuar ndonjëherë.

Çfarë i bëri Moisiun dhe Jezusin zemërbutë? Ata manifestuan pushtetin suprem nën kontroll. Fjalët e Urta 16:32 e përshkruajnë këtë lloj pushteti: “Kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë dhe ai që e urdhëron frymën e tij më shumë se ai që mposht një qytet”. Fjalët e Urta 25:28 na tregon anën e kundërt të butësisë: “Njeriu që nuk di të frenojë zemërimin e tij është si një qytet i shkrehur pa mure”. Zemërbutë janë ata që kanë fuqinë të lëndojnë, por zgjedhin të mos e bëjnë. Ata kanë njohuri për të shkatërruar reputacionin e dikujt, por nuk e përdorin atë. Ata kanë arsye të urrejnë, por refuzojnë të veprojnë sipas saj. Njerëz të tillë shfaqin butësi, e cila është thjesht forcë e shfrytëzuar dhe e përdorur për të bërë mirë. Dhe ata që ushtrojnë butësi ecin në bekimin e Perëndisë. Zemërbutët këmbëngulin derisa e mira të mposhtë të keqen, të gjenden përgjigje, të krijohen ilaçe dhe pajtimi të mposhtë largimin. Dhe zemërbutët flenë mirë natën - sepse besimi i tyre është tek Perëndia!