Perëndia mund të të shërojë (5)
6. tetor e martë
“Ai dërgoi fjalën e tij dhe i shëroi, i shpëtoi nga gropa.” Psalmi 107:20
Ja një lutje për shërim dhe shëndet të mirë të vazhdueshëm: “Atë, fuqia e Fjalës Tënde është burimi i shërimit tim dhe i shëndetit tim të vazhdueshëm. Ajo shpall se Ti më ke çliruar nga çdo shkatërrim. Mund të kem marrë vendime në të kaluarën që kanë sjellë shëndet të dobët në jetën time, por Ti më ke falur në Krishtin dhe vazhdimisht më çliron nga çdo sëmundje, dhimbje, dobësi dhe ligështi. Fjala Jote thotë: “Duke qenë se ke thënë: ‘O Zot, ti je streha ime’ … nuk do të të gjejë asnjë e keqe, asnjë plagë nuk do t'i afrohet çadrës sate” (Psalmi 91:9–10).
“Ti je streha ime dhe vendbanimi im. Nuk ka sëmundje në praninë Tënde dhe meqë unë qëndroj në Ty, sëmundja nuk mund të mbetet në jetën time. Unë jam i mbrojtur sepse jam në Krishtin. Fjala Jote thotë: ‘I dobëti le të thotë: ‘Jam i fortë!’” (Joeli 3:10). “Prandaj e quaj veten të fortë edhe kur ndihem i dobët. Zot, Fjala Jote thotë se Ti do ta ngopësh gojën time me të mira, që rinia ime të ripërtërihet” (shih Psalmi 103:5). “Ti je burimi im i kënaqësisë së plotë dhe unë besoj se rinia dhe forca ime po ripërtërihen. Si rezultat, unë plakem me dinjitet në Krishtin. Zot, Fjala Jote thotë se unë mund të të thërras dhe Ti do të më përgjigjesh; Ti do të jesh me mua në vështirësi, do të më çlirosh dhe do të më nderosh. Me jetë të gjatë do të më ngopësh dhe do të më tregosh shpëtimin Tënd” (shih Psalmi 91:15–16). “Prandaj, unë qëndroj mbi Fjalën Tënde dhe shpall me besim: ‘Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit’” (Psalmi 118:17).

