Si jep rezultat besimi yt (4)
                    4. nëntor e martë
                 
            
        “Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij” Jakobi 2:22
Nëse do ta besoje vërtetë Fjalën e Perëndisë në bazë të situatës tënde, si do veproje ndryshe? Të thuash që beson është vetëm fillimi; të aktivizosh besimin tënd do të thotë të përgatitesh për përgjigjen që po vjen. Pyete veten: “Nëse po pres vërtet një përgjigje për lutjet e mia, si duhet ta përgatis veten për ardhjen e saj?”. Në Shkrim, Jezusi i dha dishepujve të Tij këtë shembulltyrë: “Mbretëria e qiejve i ngjan një kokrre sinapi, të cilën e merr një njeri dhe e mbjell në arën e vet…kur rritet, është më e madhe se të gjitha barishtet, dhe bëhet një pemë” (Mateu 13:31-32). Bujku mund të besojë me të vërtetë se ai mund të rrisë një pemë sinapi, por asgjë nuk do të ndodhë deri sa ai të zgjedhë vendin, të përgatisë tokën, të mbjellë farën dhe ta ujisë vazhdimisht. Pasi t’i ketë bërë të gjitha këto gjëra, ai mund të presë për rritjen e saj.
Prandaj, ku duhet të fillosh? (1) Lutu për mençuri për të marrë vendimet e duhura (shiko Jakobi 1:5-7). (2) Planifikoje punën tënde dhe puno me planin tënd. Të presësh pasivisht dhe pa qëllim që gjërat të shfaqen pa u përfshirë vazhdimisht do të përfundosh i zhgënjyer dhe pa fryte. Perëndia të përdor si ortakun e Vet. “Ne, pra, jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë” (1 Korintasve 3:9). (3) Ndaje planin tënd në hapa të vegjël dhe më të realizueshëm. (4) Mos prit që frika të largohet apo që besimi të rritet. Përgatitu të rrezikosh në mënyrë të llogaritur dhe produktive. Ndjeje frikën dhe bëje gjithsesi! (5) Fillo të falenderosh Perëndinë edhe pa e parë përgjigjen akoma. Dhe nëse e humbet qëllimin, mbaj mend thënien ushtarake: “Gati, në shenjë, zjarr!”. Merr shenjë – dhe qëllo sërish! “Besimi vepronte bashkë me veprat e tij”. Dhe kjo është formula biblike për sukses.

