Akoma më tepër
3. prill e premte

“Por aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt” Romakëve 5:20

Vetëm pak minuta para frymëmarrjes së tij të fundit, Jezusi thirri “Tetelestai!” nga kryqi. Në shqip përkthehet si “u krye”. Ishte e njëjta fjalë që shkruhej në faturat në kohën e Dhiatës së Re, duke treguar se një borxh ishte paguar plotësisht. Vdekja e Jezusit në kryq ishte kësti i fundit mbi mëkatin. I gjithë borxhi për çdo mëkatar që i drejtohet Atij për shpëtim është paguar plotësisht në Kalvar. Pali shkroi: “Por aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt”. A e kuptove? “Akoma më i tepërt!”. Banka e mëshirës nuk mbyllet kurrë. Dhe nuk ka asnjëherë fonde të pamjaftueshme. Oferta e hirit është gjithmonë më e madhe se kërkesa e mëkatit. Në momentin që rrëfejmë mëkatin tonë, ndodh një transaksion i mrekullueshëm. I gjithë mëkati ynë transferohet në llogarinë e Krishtit dhe paguhet plotësisht. Por sado e mirë që është, është vetëm gjysma e ungjillit. Ka një transferim të dytë që bëhet. E gjithë drejtësia e Tij është kredituar në llogarinë tonë dhe Perëndia thotë: “Le ta quajmë të shlyer!”.

Pali e shpjegoi në këtë mënyrë: “Sepse Perëndia e ka pajtuar botën me veten në Krishtin, duke mos u numëruar njerëzve fajet e tyre…Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai [Jezusi] që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të” (2 Korintasve 5:19, 21). Të jesh “në Krishtin” do të thotë që ne qëndrojmë në drejtësinë e Tij dhe jo në tonën. Pra, kur qëndrojmë para Perëndisë, nuk do të na duhet të japim llogari për mëkatin tonë, sepse ai u llogarit tashmë në kryq. Ati do të shohë drejtësinë e Birit të Tij që na është llogaritur neve.