I lindur për të besuar (2)
12. maj e hënë

“Por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit” Efesianëve 6:4

Prindërimi nuk përfundon kur fëmija yt bëhet një adoleshent. Adoleshentët janë thjesht më të lëvizshëm, kalojnë më pak kohë me ju dhe janë më të pavarur. Tani, ata vlerësojnë dhe rivalizojnë bashkëmoshatarët që janë po aq të papjekur sa edhe ata. Madje, edhe kur ti ke hedhur themele morale dhe frymërore në vitet e tyre të hershme, diçka do të ndodhë që do të të bëjë ty të pyesësh veten: “Çfarë ndodhi? Ku kam gabuar?”. Adoleshenca ndodhi! Është truri i adoleshentit; ai është ndërtuar në atë mënyrë. Lobi i tyre frontal – pjesa e trurit që lidhet me zhvillimin moral, reagimin emocional, kontrollin e impilseve dhe marrjen e vendimeve – nuk janë zhvilluar ende plotësisht. Lobet e tyre frontalë nuk do të ndalojnë së rrituri përpara të njëzetave e madje edhe pak më vonë.

Ndërkohë, çfarë ndodhi me gjithë ato histori biblike dhe me përpjekjet e tua për të ndërtuar besim të perëndishëm në ta? Ato gjenden të gjitha aty, të humbura përkohësisht në ato lobe që po formohen! Ata nuk janë as të këqinj e as budallenj, edhe pse ndonjëherë veprojnë në këtë mënyeë. Ata nuk i kanë braktisur mësimet e tua. Sistemi i besimit që ti i ke ndihmuar të ndërtojnë më herët nuk është fshirë – ai është transferuar tek një “dosje në pritje” derisa të mbërrijnë qelizat e tyre të reja të trurit që rivendosin mendjen e shëndoshë. Dhe ato do të vijnë! Puna jote është të shmangësh panikun, të lutesh dhe ta lejosh Perëndinë që të punojë në ta, duaji ata në mënyrë të pakushtëzuar dhe ji spiranca e tyre. Qëndro i palëkundur dhe jeto sipas parimeve të tua. Shfaq empati, por mësoju atyre se si vendimet e tyre ndikojnë tek të tjerët. Ndihmoji ata që të mësojnë vetë-kontrollin duke i lejuar ata që të përballen me pasojat e tyre! Ji i duruar, mbështetës dhe mos hiq dorë kurrë prej tyre. Ti e ke mbjellë farën e Fjalës së Perëndisë në ta dhe “po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet” (Galatasve 6:9)!