Lutu për ‘dituri që vjen nga lart’
12. Qershor E Mërkurë

‘Kurse dituria që vjen nga lart...është pajtuese’ Jakobi 3:17 NLT

Disa njerëz duket sikur lulëzojnë në konflikt. Ata janë gjithmonë duke ngacmuar të tjerët, duke debatuar, duke mos rënë dakord ose duke u përpjekur që të fillojnë diçka. Ata thjesht luftojnë se u është bërë zakon, jo për shkak se besojnë me të vërtetë në një kauzë të caktuar. Ata futen menjëherë në një debat dhe i shpenzojnë gjithë energjitë e tyre duke luftuar betejat e të tjerëve në të cilat ata nuk kanë asnjë lloj rreziku. Këta njerëz duket sikur janë të sigurt në vetvete por ata marrin vendime të gabuara, kështu që të tjerët mësojnë që t’i injorojnë ata dhe të mos i marrin ata seriozisht. Ata kanë nevojë që ‘të fitojnë gjithmonë’ në mënyrë që të ndjehen mirë për veten e tyre. Kur vjen puna për marrëdhëniet e tua me të tjerët, ti ke nevojë për ‘dituri që vjen nga lart’. Kur ta kesh atë, nuk do të të duhet të shtrish gjithë të tjerët përtokë vetëm për të treguar se sa i fortë apo i zgjuar je. Vetë-besimi i vërtetë, duke përfshirë edhe sigurinë në aftësinë tënde për të marrë vendime të duhura, vjen së brendshmi. ‘Kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite. Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen’ (v. 17-18 NLT). Kur ti vepron sipas këtyre parimeve nga Shkrimi, ti do ta kuptosh nëse një betejë ia vlen që ta ketë vëmendjen tënde ose jo. Nëse i mban sytë tek çmimi që Perëndia e ka vendosur përpara teje, ti do ta kuptosh se disa gjëra nuk vlejnë që t’i kushtosh kohën dhe vëmendjen tënde. Si rrjedhojë, ti do të marrësh vendime më të mira për jetën tënde si dhe për marrëdhëniet e tua.