Perëndia ka vendosur një kohë për të derdhur favor mbi ty
20. Maj E Hënë

‘Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi’ Psalmi 102:13 NIV, UK (Botimi 2011)

E gjithë jeta jote mund të jetë trajnim vetëm për një stinë, një detyrë e caktuar prej Perëndisë, një qëllim. Ti mund ta përcaktosh numrin e viteve që kërkohen për t’u diplomuar prej universitetit. Ti mund të dish sasinë e përpjekjeve dhe kohën e caktuar që duhet për të arritur kulmin nga ana profesionale. Por kur vjen puna për të përjetuar favorin e Perëndisë, është Ai që e vendos kohën. ‘Por ti, o Zot, mbetesh përjetë...Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi’ (v. 12-13 NIV, UK, Botimi 1984). Në një moment favori i Perëndisë do bëjë më shumë për ty se sa një jetë e tërë përpjekjesh. Në librin e tij Ende në këmbë: 8 Strategjitë Fitimtare për t’u Përballur me Kohët e Vështira, Dr. James Merritt shkruan: ‘Në një takim që zgjati më pak se njëzet minuta, Faraoni e bëri Jozefin kryeministër të të gjithë vendit – të dytin për nga autoriteti pas tij! Akti i Faraonit e katapultoi Jozefin prej gropës në pallat. Perëndia punon, në fshehtësi, përmes një harku të bukur historik. Mënyra e Tij për ta çuar Jozefin në pallat ishte përmes gropës dhe burgut. Ashtu si Jozefi, ato që ne shpesh i shohim si gurë pengese janë në të vërtetë shkallë që Perëndia i përdor për të përmbushur planin e Tij dhe qëllimin e Tij në jetët tona’. Është pikërisht bindja jote ndaj Perëndisë që sjell favorin e Tij dhe besnikëria jote në kohë të vështira: ‘Në të mirë e në të keq, në pasuri e në varfëri, në sëmundje dhe në shëndet’. Prandaj, ji besnik dhe këmbëngul; Perëndia ka caktuar një kohë për të të derdhur favor mbi ty!