Hakmarrja është puna e Perëndisë, jo e jotja
25. Mars E Hënë

‘“Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti”’ Romakëve 12:19 NKJV

Hakmarrja është puna e Perëndisë, jo e jotja. Ai do të shpaguajë – qoftë në Ditën e Gjykimit ose në këtë jetë. Ai mund ta disiplinojë shefin tënd abuziv, ta zbusë zemrën e prindit të zemëruar, ta sjellë ish-in tënd në gjunjë apo në vete. Falja nuk e zvogëlon drejtësinë; ajo ia beson atë Perëndisë. Ai garanton sasinë e duhur të ndëshkimit. Ne ose japim shumë ose japim pak, por Ai ka përshkrimin e saktë. Dhe ndryshe nga ne, Ai nuk heq dorë kurrë nga një person. (Dhe ti duhet të jesh i lumtur për këtë). Shumë kohë pasi kemi ecur përpara, Perëndia ende është duke hetuar ndërgjegjen, duke nxitur bindjen, duke orkestruar shpengimin. Të ndreqësh armiqtë e tu? Kjo është puna e Perëndisë. Të falësh armmiqtë e tu? Ah, pikërisht këtu hyn ti. ‘Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve. Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit. Mos u hakmerrni për veten tuaj...por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti”. “Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur”. Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën’ (v. 17-21 NLT). Autori Max Lucado thotë: “Hakmarrja ndërton një shtëpi të vetmuar, të ngushtë, që ka vend vetëm për një person. Jeta e banorit të saj reduktohet në një qëllim të vetëm: Të bëjë dikë të mjerë. Dhe ai ia arrin qëllimit – bën të mjerë veten e tij. Nuk është çudi që Perëndia ngul këmbë: “Duke u kujdesur fort...se mos mbijë ndonjë rrënjë e hidhur’ (Hebrenjve 12:15 MSG)”’.