“Le të mbajmë të patundur”
29. mars e premte

“Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi” Hebrenjve 10:23 NKJV

Do të vësh re se gjatë procesit të krijimit, Perëndia i numëron ditët duke u bazuar në netët e mëparshme. Bibla nuk thotë: “Mëngjesi dhe mbrëmja ishte dita e parë” Jo, thotë: “Dhe Perëndia e quajti dritën "ditë" dhe errësirën "natë". Kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë” (Zanafilla 1:5 KJV). Kjo do të thotë se Perëndia mund të nxjerrë dritën nga errësira – ti thjesht duhet të kalosh përmes njërës që të shkosh tek tjetra! Perëndia i tha Moisiut që ëngjëlli i vdekjes do të vinte natën dhe kudo që do të shihte gjakun e qengjit në trarët e dyerve, banorët e asaj shtëpie do të shpëtonin (shiko Eksodi 12:12-13).

Tek Eksodi thuhet se Perëndia “bëri që të tërhiqet deti nga një erë e fortë nga lindja që fryu tërë atë natë dhe e shndërroi detin në tokë të thatë; dhe ujërat u ndanë. Kështu bijtë e Izraelit hynë në mes të detit në të thatë” (Eksodi 14:21-22 CEV). Psalmisti shkroi: “Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi” (Psalmi 30:5 NKJV). Agimi është akoma më i ndritshëm për shkak të errësirës që ishte para tij, ashtu si përparimi yt është aq më shpërblyes kur krahasohet me sfondin e dhimbjes, fitimit dhe zbulimit. Mëngjeset e mëdha vijnë duke kaluar përmes netëve të vështira. Kur shikon dikë që është duke kaluar një ditë të mirë, me shumë mundësi po shikon dikë që ka kaluar një natë të gjatë. Kur i dëgjon ata që po e gëzojnë fitoren me britma, mund të jetë për shkak se ata e kanë kaluar natën duke u lutur dhe qarë përpara Perëndisë. Bibla thotë: “Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi” (Hebrenjve 10:23 NLT). T’i besosh Perëndisë është më shumë se sa thjesht mendim dëshiror. Ka të bëjë me njohjen se nëse Ai e tha, Ai ka për ta bërë. Ka të bëjë me të kuptuarit se Ai nuk kontrollon vetëm krijimin, Ai kontrollon rrethanat e tua. Kështu që, “mbaje të patundur”.