Tregohu i mençur, mos krahaso!
11. Korrik E Enjte

‘Por ata, duke matur veten e tyre dhe duke u krahasuar me veten e tyre, nuk kanë mend’ 2 Korintasve 10:12 KJV

Jezusi tha: ‘Dy njerëz u ngjitën në tempull për t’u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës. Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: “O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës. Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam”. Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t’i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: “O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit”. Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar”’ (Luka 18:10-14 NKJV). Pavarësisht se Fariseu e konisderonte veten si njeriun të veshur më mirë në qytet, Perëndia i konsideroi rrobat e tij të vetë-drejtësisë si ‘lecka të qelbura’ dhe e refuzoi atë (shiko Isaia 64:6). Një poet i panjohur shkroi: ‘Një natë një ëndërr unë pashë, sikur vdekja erdhi dhe qielli u hap. Me shumë mirësjellje, një engjëll më shoqëroi brenda. Dhe aty, për timen habi, pashë disa njerëz që në tokë i kisha njohur mirë; disa që si të papërshtatshëm i kisha gjykuar dhe si të padenjë i kisha etiketuar. Në majë të gjuhës më erdhën disa fjalë indinjuese, por gojën dot nuk e hapa; sepse në fytyrat e tyre një habi të madhe pashë– askush nuk po më priste mua!’. Ne të gjithë jemi të shpëtuar me anë të hirit, jo me anë të veprave (shiko Titit 3:5). Ne nuk shkojmë në qiell për shkak të veprave tona, por për shkak të asaj që Krishti kreu mbi kryq. Meqënëse kjo është e vërtetë, mos u përpiq që ta ngresh veten tënde lart duke ulur të tjerët poshtë. Mos supozo se ti ke të drejtë që ta gjykosh karakterin e tyre, motivet e zemrës së tyre apo ecjen e tyre frymërore. Kur e bën këtë, Bibla thotë se ti ‘nuk ke mend’.